Botë

Myslimanët francezë padisin Facebookun e Youtuben për pamjet e transmetuara nga sulmet në Zelandën e Re

Një grup që përfaqëson myslimanët francezë ka paditur Facebookun dhe YouTuben, për lejimin e transmetimit të pamjeve nga sulmet në Christchurch në platformat e tyre, ani pse këto kompani kanë thënë se e kanë pasur të pamundur të ndërprejnë transmetimet.

Sulmet e 15 marsit në dy xhami në Zelandën e Re, ku mbetën të vrarë 50 persona, u transmetuan drejtpërdrejt në Facebook dhe video u kopjua dhe u shpërnda edhe në të gjitha rrjetet e tjera sociale, transmeton kp.

Në padinë e Këshillit Francez të Besimit Mysliman thuhet se Facebook edhe Youtube lejuan transmetimin e pamjeve të dhunshme duke i dhënë mbështetje terrorizmit ose akteve që tentojnë të shkelin dinjitetin njerëzor.

Padia është mirëpritur nga Shoqata Islame e Zelandës së Re.

Ata thanë se autori i sulmit kërkonte një audiencë dhe Facebook ia mundësoi që ai të reklamonte veten dhe krimin e tij.