Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të premten se forcat e mbështetura nga SHBA-ja kanë dëbuar grupin militant të Shtetit Islamik nga territori i fundit i mbajtur nën kontrollin e tyre në Siri.
“Këtu është ISIS-i në ditën e zgjedhjeve. E këtu është ISIS-i aktualisht”, ka thënë Trumpi, duke e mbajtur të drejtuar para gazetarëve një hartë para dhe pas të territoreve të kontrolluara prej ISIS-it në Siri.
Pjesa “para” e hartës shihet e mbushur me pika të kuqe teksa ajo “pas” është krejtësisht bosh, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.
“Djelmosha, mund ta keni hartën. Urime”, ka thënë Trumpi. “Mendoj se është koha e duhur”.
Trumpi ka thënë disa herë gjatë javëve të kaluara se Shteti Islamik nuk ka më nën kontroll territore në Siri. Por zyrtarët amerikanë kanë thënë për “Reutersin” se luftimet kanë vazhduar ende të enjten mbrëma, në mes të forcave të mbështetura nga SHBA-ja dhe militantëve të ISIS-it.