Zelanda e Re është një vend i vogël, i largët, dhe viktimat në kërdinë e të shtënave në Christchurch ishin pa dyshim myslimanë, e jo hebrenj. Por pata të njëjtën ndjenjë sëmurëse teksa i lexoja lajmet për masakrën në xhamitë sikurse gjatë tetorit kur po i lexoja lajmet për të shtënat në një sinagogë në Pittsburgh.
Të gjitha aktet e terrorizmit – të gjitha vrasjet e të pafajshmëve – janë të neveritshme, dhe ajo që e bën edhe më të shëmtuar është kur viktimat zgjidhen për shkak të ngjyrës së lëkurës së tyre, përkatësisë etnike, seksuale apo besimeve fetare. Me fjalë tjera, kur këto janë krime të urrejtjes të rrënjosura në patologjitë që i ndajnë shumë të tjerë, sesa emanacione të rastësishme të një mendjeje të sëmurë. Sulme të këtilla janë të krijuara për të përjetësuar format më të rrezikshme të urrejtjes të njohura për njerëzimin: të njëjtin lloj të urrejtjes fetare të prodhuar nga Lufta Tridhjetë Vjeçare, të njëjtin lloj të urrejtjes racore që e prodhoi Holokausti, të njëjtin lloj të urrejtjes etnike që e prodhoi masakra e Srebrenicës.
Por, ne s’i trajtojmë barabartë të gjitha krimet e urrejtjes. Për dekada me radhës, kemi qenë të përqendruar, kuptueshëm, në sulmet nga ekstremistët myslimanë. E them kuptueshëm sepse 11 shtatori ishte sulmi më i rëndë terrorist ndonjëherë, dhe ishte vetëm një hyrje e tmerreve në ardhje. Mendoni për të gjitha ato makina bomba nga terroristët sunit në Irak nëpër turmat e shiitëve. Apo nga terroristët Pashtun në Afganistan nëpër turmat e Hazarave. Apo, mendoni gjenocidin në tentativë të Shtetit Islamik kundër jazidëve. Shumë mizori të tmerrshme janë kryer në emër të islamit dekadave të fundit – dhe ato s’kanë ndodhur vetëm në Kabul apo Bagdad, por edhe në Paris e Orlando.
Por përqendrimi në dhunën islamike nuk duhet të na shpërqendrojë nga kërcënimi në rritje i dhunës nga djathtistët. Ndonëse 11 shtatori është sulmi më vdekjeprurës terrorist në historinë e SHBA-së, i dyti më i rëndi ishte bombardimi i ndërtesës federale të Oklahoma Cityt më 1995 nga Timothy McVeigh, ku u vranë 168 persona. Lidhja Kundër-Shpifjes raporton se në SHBA, “ekstremistët djathtistë kolektivisht kanë qenë përgjegjës për më shumë se 70 për qind të 427 vrasjeve të ndërlidhura me ekstremizmin në 10 vjetët e fundit, që mbikalojnë vrasjet e kryera nga majtistët apo ekstremistët e brendshëm islamikë”. Numri i vdekjeve nga terrorizmi djathtist do të mund të kishte qenë edhe më i madh nëse FBI-ja nuk do ta kapte muajin e kaluar lejtnantin e armatosur deri në dhëmbë të Gardës Bregdetare, Christopher Hasson, para se, siç raportohet, të përgatitej për të sulmuar politikanët liberalë dhe personalitetet e mediave. Edhe përkundër kësaj, administrata ka shkurtuar programe të krijuara për të luftuar këtë kërcënim, transmeton Koha.net.
Kur ne konfrontojmë dhunën islamike, ne me të drejtë përqendrohemi jo vetëm tek kryesit e aktit por edhe në rrjetet e tyre — se çfarë i detyroi ata të vrasin. Shumë sulmues të kohës së fundit në Perëndim kanë qenë “ujq të vetmuar” që janë radikalizuar nga largësia nga Shteti Islamik apo al-Qaeda. Të tjerë janë rekrutuar nga ekstremistë në komunitetet myslimane. Duhet të zbatojmë të njëjtën metodologji edhe ndaj terroristëve djathtistë dhe të çrrënjosim ideologjinë që i inspiron ata.
Manifesti i urryer i supozuar i personit që shtiu në Christchurch quhet “Zëvendësimi i Madh”, një shprehje e zakonshme e supremacistëve të bardhë. Ai u ankua për “imigrim masiv” dhe “shkallë të larta fertiliteti të imigrantëve” që çojnë në “zëvendësim total racor dhe kulturor të njerëzve evropianë”. Si motive specifike për sulmin, ai kishte përmendur vdekjen e një vajze të vogël në Suedi në një sulm me kamion më 2017 të inspiruar nga Shteti Islamik, disfatën e Marine Le Pen në zgjedhjet franceze të vitit 2017 dhe prezencën në Francë të “pushtuesve”, duke menduar në imigrantët myslimanë. Në mesin e listës së tij jokoherente të objektivave, ai shfaqte një dëshirë për të nxitur “një luftë civile që më në fund do të ballkanizonte (ndante) SHBA-në përgjatë vijave politike, kulturore dhe, më e rëndësishmja, racore”.
A ju duket ndonjë pjesë prej kësaj e ngjashme? Duhet. Republikani Steve King (R-Iowa) ka folur për frikën e tij për “zëvendësimin e madh”. Stephen K. Bannon, ish-këshilltari i Presidentit Trump, ka shprehur admirimin e tij për një novelë raciste franceze të quajtur “Kampi i Shenjtorëve” që e paramendon Francën të mbushur me të porsaardhur jo të bardhë. Vetë Trumpi kishte shfaqur mbështetjen për Le Pen; duke thënë “Islami na urren ne”; ka lavdëruar supremacistët e bardhë si “njerëz shumë të mirë”; dhe ka paralajmëruar për një “pushtim” nga imigrantët pa dokumentacion.
Në të vërtetë të enjten, Shtëpia e Bardhë postoi një video të vrazhdë survejuese që shfaqte imigrantë pa dokumente, në mesin e tyre fëmijë të vegjël, duke kaluar në SHBA nën titullin, “Kjo është një emergjencë kombëtare”. Një ditë më parë, Breitbart publikoi një intervistë në të cilën Trumpi dukej se po kërcënonte dhunën kundër kritikëve majtistë, duke thënë “Unë kam mbështetjen e policisë, mbështetjen e ushtrisë, mbështetjen e Motoçiklistëve për Trumpin – kam njerëzit e fortë, por nuk shfaqen të fortë – derisa nuk arrijnë në një pikë të caktuar, e pastaj do të bëhej shumë, shumë keq”.
Është shumë shqetësuese se sulmuesi i supozuar i Christchurchit tha se mbështet Trumpin “si simbol i identitetit të bardhë të përtërirë dhe të qëllimit të përbashkët”, edhe pse s’e mbështet atë si “politikbërës dhe lider”. Apo se personi që shtiu në sinagogën në Pittsburgh, derisa kritikonte Trumpin se është shumë i butë ndaj hebrenjve dhe imigrantëve, i dha zë histerisë së presidentit për karvanët e refugjatëve nga Amerika Qendrore. Derisa ka dënuar sulmin në Zelandë të Re, Trumpi ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për motivin e tij anti-islamik – një kontrast i zymtë me mënyrën se si ai fajëson “terrorizmin radikal islamik” pas sulmeve myslimane.
Trumpi nuk është përgjegjës për atë që ka ndodhur në Christchurch apo Pittsburgh, aq sa liderët sauditë që kanë shpërndarë salafizmin përgjatë botës myslimane janë përgjegjës për sulme specifike terroriste. Por Trumpi ka promovuar fanatizmin nga zyra më e fuqishme në botë. Ai i ka ballkanizuar Shtetet e Bashkuara dhe ka nxitur intolerancën. Është koha e duhur që presidenti të pranojë përgjegjësinë për retorikën e tij dhe ta qetësojë pak. Sepse fjalët e gabuara mund të inspirojnë aktet më të këqija.
Shkruan: Max Boot për “The Washington Post”
Përktheu dhe përshtati, Koha.net