Botë

Terroristi në Zelandë të Re u inspirua nga kriminelët serbë

Sulmuesi me shtetësi australiane, Branton Tarrant, kishte planifikuar që masakrën ndaj myslimanëve ta shpaloste drejtpërdrejt në mediat sociale.

Tarrant vendosi ta publikonte një komunikatë prej 72 faqesh, që përshkruante synimet e tij, në të cilat ai mbështeti ideologjinë e së djathtës ekstreme dhe kundër emigrantëve, raporton KTV.

Madje, aty përmendet edhe Kosova.

“Të sigurohemi se kurrë më nuk do të përsëritet situata e përfshirjes amerikane në Kosovë, aty ky SHBA-ja dhe NATO-ja bashkuan forcat me myslimanët për t’i masakruar të krishterët evropianë”, thuhet mes tjerash në shkrim.

Branton Tarrant, gjithashtu, kishte hyrë live në Facebook, kur qëllonte viktimat në xhami.

Teksa shkonte drejt xhamisë me veturën e tij, ai dëgjonte muzikë serbe dhe në armatimin e tij kishte të shkruar emra luftëtarësh të krishterë, në mesin e tyre edhe emrat e Millosh Kopiliqit dhe Princit Lazar, të njohur për pjesëmarrjen në Betejën e Kosovës të vitit 1389.

28-vjeçari Tarrant, është akuzuar për vrasje dhe do të paraqitet të shtunën në mëngjes në Gjykatën e Rrethit të Christchurch-it.

Kënga që dëgjohej në veturën e tij ka për motiv luftën e serbëve kundër myslimanëve dhe kroatëve.

Në qendër të tekstit është figura e Radovan Karaxhiqit, ideatorit dhe realizuesit të luftës në Bosnjë e Hercegovinë.

Në këngë, Karaxhiqi ftohet t’u prijë serbëve në këtë luftë për t’i mundur myslimanët dhe kroatët.

Facebooku, YouTube dhe Twitteri kanë dështuar ta bllokojnë përhapjen e shpejtë të pamjeve të sulmit në Zelandë të Re.

Sulmuesi, për 17 minuta, ka transmetuar drejtpërdrejt sulmin që po bënte, derisa platformat e mëdha dështuan ta ndalojnë menjëherë transmetimin. Krejt çka kanë bërë, është bllokimi i llogarive të sulmuesit dhe përdoruesve që e përkrahnin sulmin e tij.

Dështimi në parandalimin e këtyre pamjeve ka vënë në dyshim aftësinë e tyre për ta menaxhuar përmbajtjen e dhunshme.