Botë

Franca riatdheson pesë jetimë të xhihadistëve nga Siria

Foto: Reuters

Qeveria e Francës ka bërë të ditur të premten se ka riatdhesuar pesë fëmijë jetimë të xhihadistëve francezë nga kampet e Sirisë verilindore, ku ofensivës së përgjakshme pesëvjeçare ndaj “Shtetit islamik” po i vjen fund.

Fëmijët, deri në pesë vjeç më i madhi, janë sjellë në Francë me një fluturake ushtarake dhe tani janë nën kujdes mjekësor, ka bërë të ditur Ministria e Jashtme Franceze, raporton “Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. “Vendimi është marrë meqë këta fëmijëve janë shumë të vegjël dhe janë në një situatë jashtëzakonisht të cenueshme”, thuhet në njoftimin e diplomacisë franceze, duke shtuar se qeveria ishte në kontakt me të afërmit e tyre.

Qeveria ka falënderuar Forcat Demokratike Siriane (SDF), forca militante kurde të përfshira në luftën kundër ISIS-it, me mbështetjen e koalicionit të prirë nga SHBA-ja, “për bashkëpunimin që ka mundësuar këtë rezultat”.

Nënat e fëmijëve të riatdhesuar janë të vdekura teksa baballarët ose kanë vdekur ose janë të zhdukur, ka bërë të ditur një burim diplomatik, duke shtuar se edhe nëse nënat e tyre do të ishin gjallë, nuk do të lejoheshin në territorin e Francës. Franca ka nxjerrë vendime që specifikojnë se të gjithë shtetasit francezë që angazhohen në luftën e ISIS-in, do të përballen me drejtësinë lokale.