Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë sërish në shënjestër Rusinë, duke u vendosur sanksione të reja gjashtë shtetasve dhe tetë organizatave të vendit shkaku i “agresionit të vazhdueshëm të Moskës në Ukrainë”, ka njoftuar të premten Thesari amerikan.
Masa ka në epiqendër individët dhe organizatat që kanë pasur rol në sulmet ruse mbi anijet ukrainase në Ngushticën Kerch të Detit të Zi, në aneksimin e Krimesë më 2014 si dhe në mbështetjen jolegjitime ofruar Qeverisë separatiste në zgjedhjet e mbajtura në Ukrainën lindore, raporton “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë transatlantik nuk do të lejojnë që Rusia ta vazhdojë agresionin kundër Ukrainës në mënyrë të papërmbajtur”, ka thënë sekretari i Thesarit amerikan, Steven Mnuchin. “Kjo iniciativë e përbashkët e partnerëve tanë në Bashkimin Evropian dhe në Kanada e fuqizon përkushtimin tonë për vendosjen e sanksioneve të shënjestruara dhe kuptimplota në kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve të Kremlinit për t’i shpërfillur normat ndërkombëtare dhe rrezikuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, thuhet më tutje në njoftim.
Në mesin e individëve të sanksionuar janë katër zyrtarë rusë, të cilët ishin të përfshirë në sulmin në Ngushticën Kerch, afër brigjeve detare të Krimesë. Në shënjestër të sanksioneve janë po ashtu gjashtë kompani ruse të fushës së mbrojtjes që operojnë në Krime, të cilat ndëshkohen shkaku i përvetësimit të aseteve shtetërore ukrainase në shërbim të ushtrisë ruse gjatë kohës së aneksimit.