Botë

SHBA-ja mund ta sanksionojë Turqinë shkaku i mbrojtjes raketore ruse

Turqisë nuk i ka mbetur edhe shumë kohë për ta shmangur përplasjen me SHBA-në rreth planeve të veta për blerjen e sistemeve të avancuara ruse të mbrojtjes, duke e hedhur poshtë kundërofertën e partneres së saj në NATO, gjë që rrit mundësinë e sanksioneve amerikane kundër Ankarasë.

Qeveria e Recep Tayyip Erdoganit nuk e ka respektuar “afatin e butë”, të caktuar nga Washingtoni, për të vendosur rreth blerjes së sistemit 3.5 miliardësh të mbrojtjes raketore, “Raytheon Co. Patriot”. Oferta formale skadon në fund të muajit, kanë thënë zyrtarët amerikanë, raporton Reuters.

Pa e refuzuar publikisht propozimin amerikan, Erdogani ka thënë vazhdimisht se nuk do të tërhiqet nga kontrata për sistemin mbrojtës rus S-400, që pritet të vendoset në tetor. Washingtoni thotë se Ankaraja nuk mund t’i ketë të dyja, transmeton Koha.net.

Po qe se vazhdon me marrëveshjen ruse, Turqia po ashtu rrezikon ta humbasë furnizimin me aeroplanë luftarakë “Lockheed Martin F-35” dhe mund të përballet me sanksione, në pajtim me ligjin amerikan, të njohur si “Zmbrapsja e kundërshtarëve amerikanë përmes sanksioneve” (CAATSA).

Në një prej komenteve më të ashpra rreth kësaj çështjeje, Pentagoni ka paralajmëruar të premten për “pasoja të rënda” në raportet ushtarake midis SHBA-së dhe Turqisë, po qe se Ankaraja pranon sistemin rus S-400.

“Nuk do të kenë qasje tek sistemi ‘Patriot’ dhe aeroplanët F-35”, ka thënë ushtruesi i detyrës së zëdhënësit të Pentagonit, Charlie Summers.