Në Kongresin e Lidhjes Social Demokrate (LSDM), është zyrtarizuar kandidatura e Stevo Pendarovskit për president të Maqedonisë së Veriut, për zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen më 21 prill.
Kryeministri Zoran Zaev, njëherësh kryetar i LSDM-së, tha para delegatëve se Stevo Pendarovski do të jetë presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut, pas të cilit qëndrojnë të gjitha bashkësitë etnike në vend, moment ky sipas tij që nuk ka ndodhur në 27 vjet demokraci në Maqedoninë e Veriut.
“Stevo Pendarovski është propozimi ynë. Besojmë se ai është zgjedhja jonë për fitore, presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut. U bashkuam rreth idesë së një kandidat të përbashkët, me një mbështetje të madhe. Për herë të parë kemi kthesë historike e politike në vendin tonë, maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, vlleh, boshnjakë dhe të gjithë të tjerët jemi bërë bashkë që të sigurojmë një president për të gjithë qytetarët tanë. Do të shkojmë bashkërisht në gjithë vendin tonë që t’i japim mbështetje Stevo Pendarovski, i cili do të jetë presidenti i shtetit tonë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, duke theksuar se Maqedonisë së Veriut i duhet president i cili do të mund ta çojë vendin drejt integrimit euroatlantik, që do të jetë partner i reformave dhe jo i ndarjeve.