Takimi Trump-Jong-un përfundon pa marrëveshje Foto: Reuters

Trump: Bisedimet me Jong-unin dështuan për shkak të sanksioneve

28 February 2019 09:02
11:49

Samiti në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit verikorean, Kim Jong-un ka përfunduar pa marrëveshje, pasi Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar kërkesat e verikoreanëve për të hequr sanksionet ndaj shtetit të tyre.

“Ka pasur të bëjë me sanksionet”, ka thënë Trumpi në një konferencë për media. “Ata kanë kërkuar që sanksionet të hiqen në tërësi dhe ne nuk mund ta bëjmë atë”, shtoi ai.

Të dy liderët është pritur që të njoftojnë për përparimin e bërë në negociatat për denuklearizim.

“Ndonjëherë duhet të largoheni dhe ky ka qenë një nga ato raste”, ka thënë Trump, shkruan REL.

Duke folur në një konferencë për media në Hanoi, presidenti amerikan ka njoftuar se nuk ka plane për mbajtjen e një samiti të tretë me Kimin.

Në programin origjinal të Shtëpisë së Bardhë, ishte planifikuar që të enjten të organizohet “Ceremonia e Nënshkrimit të Marrëveshjes së Përbashkët”, si dhe një drekë pune në mes të dy liderëve, mirëpo pritshmëritë janë shuar, kur të dyja ngjarjet janë anuluar në mëngjesin e së enjtes.

Sipas presidentit Trump, lideri verikorean ka pasur gatishmëri për të shkatërruar kompleksin, Yongbyon, zonë për zhvillimin dhe testimin e programit bërthamor të Koresë Veriore, mirëpo ka kërkuar lirim nga të gjitha sanksionet, diçka për të cilën SHBA-ja nuk ka qenë e gatshme.

Shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë.

09:02

Takimi Trump-Jong-un përfundon pa marrëveshje

Presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong-un, kanë dështuar në arritjen e një marrëveshjeje për denuklearizimin e gadishullit Korean, pas samitit të dytë mes tyre në Vietnam këtë të enjte.

Më herët, të dy udhëheqësit kishin shprehur besim për progres në përmirësimin e marrëdhënieve dhe në çështjen kyçe të denuklearizimit, gjatë bisedave që kanë pasur në kryeqytetin vietnamez, Hanoi.

“Dy udhëheqësit diskutuan mënyra të ndryshme sesi të avancohen konceptet e denuklearizimit dhe ato ekonomike”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders. “Megjithatë, asnjë marrëveshje nuk u arrit në këtë takim. Dy ekipet respektive shohin nga e ardhmja për një takim të radhës”.

Trump pritej të merrte pjesë në një “ceremoni të përbashkët nënshkrimi marrëveshjeje” me Kim Jong-unin në përfundim të bisedimeve të samitit të tyre, sipas asaj që kishte njoftuar Shtëpia e Bardhë më herët.

Të dy udhëheqësit u larguan nga vendi ku zhvilluan bisedimet, hotelin “Metropole” të ndërtuar që në epokën e kolonizimit francez, rreth orës 13:25 me atë lokale (07:25), pa u ulur në drekën e parashikuar të ishte e përbashkët, për t’u rikthyer në hotelet e tyre respektive, transmeton tch.

Por, lajmi për ndryshimet në agjendë shkaktuan rënie të vlerës së Koresë së Jugut dhe tronditi tregjet rajonale aziatike të bursave.

Më herët gjatë ditës, Kim dhe Trump, të ulur përballë njëri-tjetrit në një tryezë konferencash, u shfaqën besimplotë për progres.

“Nëse nuk do të doja ta bëja këtë gjë, nuk do të isha këtu në këtë moment”, u tha Kim Jong-uni reporterëve të pranishëm përmes përkthyesve të tij, kur u pyet nëse ishte i gatshëm të dorëzonte armët bërthamore të vendit të tij.

Trump iu kundërpërgjigj duke thënë se “kjo ishte pikërisht përgjigjja më e mirë që reporterët mund të kishin dëgjuar ndonjëherë”.

Megjithatë, Kim nuk shpjegoi se për çfarë “denuklearizimi” e kishte ai fjalën, por shtoi se sapo kishte biseduar për hapat konkretë të radhës që duhen ndërmarrë.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Koreja e Veriut të dorëzojë të gjithë arsenalin bërthamor dhe të heqë dorë nga programet raketore, Peniani kërkon heqjen e sanksioneve amerikane, sikurse edhe mbështetjen bërthamore për aleatët aziatikë si Koreja e Jugut apo Japonia.

Ky ishte samiti i dytë mes dy krerëve të shteteve, pas atij të parit në Singapor, në qershor të vitit të kaluar.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme