Botë

Izolohet Venezuela, Maduro mbyll kufijtë

Descriptive Text

Presidenti venezuelas Nicolas Maduro urdhëroi mbylljen e kufirit me Brazilin në mesin e krizës së ndihmave humanitare, që sa vjen e përshkallëzohet.

Lideri majtist deklaroi gjatë një interviste televizive se po e mendon dhe mbylljen e kufirit me Kolumbinë për t’i ndaluar opozitës futjen e kamionëve me ndihma në vend, transmeton TCH raportimet.

Maduro mohoi me kryeneçësi ekzistencën e një krize dhe shpërndarjen e ndihmave e sheh si një “show” të orkestruar nga Amerika.

Udhëheqësi opozitar Juan Guaido, i vetëshpallur president e i njohur si i tillë nga SHBA-ja, disa vende latine e disa europiane, përfshirë Shqipërinë, ka shkuar vetë në zonë e është vënë në krye të karvanit të ndihmave me shpresën ta dërgojë atë në Karakas.

Si afat te fundit, ai ka vendosur ditën e shtunë. Përleshja te ashpra shpërthyen kur karvani i opozitës me autobusë e makina u bllokua shkurtimisht nga forcat e sigurisë; mbi njerëzit u përdor dhe gaz lotsjellës, por automjetet më vone, u vunë serish në lëvizje. Me t’u njoftuar mbyllja e kufirit, një numër venezuelianësh nxituan të kalonin kufirin drejt qytetit brazilian Pacaraima për t’u furnizuar me ushqime.

Guaidó dhe aleatet e tij shpresojnë të mbledhin ushqime dhe ilaçe për popullin duke sfiduar kështu urdhrat e Maduros, që ndonëse mohon të ketë krizë humanitare në vend, këtë javë njoftoi se 300 ton ndihma mund t’i mbërrijnë Venezuelës me anije nga aleatja e saj, Rusia.