Në vitin 1895, Mark Hanna, senator i shtetit Ohajo, shpjegonte se si funksiononte politika në kohën e tij: “Dy gjëra janë të rëndësishme në politikë”, thoshte ai, “e para, janë paratë, e dyta ... nuk më kujtohet se çfarë mund të jetë e dyta”.
Rreth 125 vjet më vonë, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë.
Në çdo dy vjet të ciklit elektoral në Shtetet e Bashkuara, kandidatët dhe përkrahësit e tyre shpenzojnë miliarda dollarë për t’u bërë të njohur në publik, për të dhënë mesazhet e tyre dhe për të diskredituar rivalët politikë.
Sipas vlerësimeve, zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 kushtuan 2,4 miliardë dollarë. Në këtë shifër përfshihen shpenzimet e kandidatëve dhe të grupeve të ndryshme të interesit. ... Dhe kishin për të qenë edhe më të kushtueshme, në se Donald Trumpi nuk do të ishte bazuar kryesisht tek strategjia unike e fushatës së tij, mbulimi falas nga mediat, në vend të reklamave me pagesë.
Megjithatë, kjo ishte një shifër jashtëzakonisht e madhe, më e madhe se ekonomitë e dhjetëra vendeve të botës atë vit. Po t’i shtosh shpenzimet e kandidatëve për poste të tjera federale, të anëtarëve dhe Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit, shifra e përgjithshme e shpenzimeve atë vit zgjedhor do të ishte marramendëse, rreth 6,5 miliardë dollarë.