Botë

Lavrov: Rusia “do të bëjë gjithçka” për të mbrojtur Maduron në Venezuelë

Zyrtarët rusë kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara për trazirat në Venezuelë, duke u zotuar se Moska do të mbështetë presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro.

Rusia kritikoi ashpër Uashingtonin për vendosjen e sanksioneve ndaj kompanisë së naftës në Venezuelë.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov akuzoi Uashingtonin “se ka vendosur në mënyrë publike standardin për ndryshimin e paligjshëm të regjimeve” duke njohur rivalin e Maduros, njëherësh lider opozitës, Juan Guaido si presidenti i përkohshëm.

“Bashkë me anëtarët tjerë të përgjegjshëm të komunitetit ndërkombëtar, ne do të bëjmë gjithçka për të mbështetur Qeverinë legjitime të presidentit Maduro” ka thënë Lavrov.

Ai nuk përmendi ndonjë hap të veçantë në mbështetje të Maduros.

Në komente të ndara, por pothuajse njëkohësisht, zëdhënësi i presidentit, Vladimir Putin, nuk pranoi të komentojë kur u pyet nëse Rusia do të dërgonte ndihmë ushtarake nëse ushtria amerikane ndërhyn në krizën në Venezuelë.