Botë

Irani akuzon Francën për destabilizim të rajonit

Irani zyrtar ka akuzuar Francën se është një faktor destabilizues në rajon, pas kërcënimeve të ministrit të Jashtëm francez, për sanksione të reja kundër Teheranit, për shkak të programit bërthamor.

"Republika islame ka bërë gjithmonë thirrje për ruajtje të paqes dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme iraniane.

Ministri i Jashtëm francez, Jean Yves Le Drian, të premten tha se Parisi është i gatshëm të rris sanksionet ndaj Teheranit, nëse bisdimet për programin bërthamor dhe ndikimin rajonal dështojnë të shënojnë progres, trasnmeton tch.

"Ne kemi filluar një dialog të vështirë me Iranin.. dhe derisa nuk arrihet progres, ne jemi të gatshëm të vendosim sanksione, dhe ata e dijnë këtë gjë”, tha Le Drian.

Ministria e Jashtme e Iranit u përgjigj ndaj këtyre kërcënimeve duke thënë se “programi bërthamor i Iranit nuk është i negociushëm” dhe paralajmëroi se “cdo sanksion i shteteve evropiane ndaj Iranit, do të vë në pikëpytje raportet në mes Iranit dhe atyre shteteve”.

Marrëveshja bërthamore e Iranit ishte arritur në vitin 2015 në mesin e gjashtë fuqive të mëdha botërore si Britania, Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.

Por, në maj të vitit 2018, SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja dhe rivendosi sanksionet ndaj Teheranit.