Kufiri irlandez konsiderohet problematik në rast të Brexitit pa pakt

Kufiri irlandez konsiderohet problematik në rast të Brexitit pa pakt

24 janar 2019 09:52

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në negociatat për Brexit, Michel Barnier ka thënë se nëse Britania largohet nga BE-ja pa pakt, ai sërish dëshiron të mënjanojë një kufi të ashpër në mes të Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore.

Barnier ka thënë në një konferencë të mërkurën se BE-së do t’i duhet të mbrojë konsumatorët dhe bizneset përmes kontrolleve të mallrave britanike nëse Brexiti përfundon pa marrëveshje me 29 mars.

“Neve do të na duhet sërish që të bëjmë kontrolle diku”, ka thënë Barnier, duke mos specifikuar se ku mund të ndodhin këto vëzhgime.

Sipas tij, sfida kryesore do të jetë Republika e Irlandës, e cila si anëtare e BE-së ndan kufirin me Irlandën Veriore të Britanisë.

Rikthimi i një kufiri të ashpër në këtë zonë konsiderohet vendim i ndjeshëm pas disa dekadave prej kur ka përfunduar një konfilikt nacionalist.

“Neve do të na duhet të gjejmë rrugë operacionale për të kryer kontrolle pa vendosur kufi”, ka shtuar ai.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se ajo është duke punuar në procesin e Brexitit, ndonëse është duke u rritur konfuzioni për atë se si do të largohet Britania nga blloku evropian.

Duke mbajtur një fjalim në Forumin Ekonomik Botërore në Davod të Zvicrës ajo ka thënë se të gjitha duhet të jenë të përfshira në BE për të punuar në të përballurit e shokut që përçon Brexiti.

Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja në krahasim me 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme