Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli zyrtarisht kanë dalë nga agjencia edukative, shkencore dhe kulturore e OKB-së në orët e mesnatës, proces ky që ka nisur më shumë se një vit më parë si pasojë e brengave se organizata nxit paragjykime anti-Izrael.
Tërheqja është më shumë procedurale, megjithatë mund të llogaritet si goditje për UNESCO-n, organizatë e bashkë-themeluar nga SHBA-ja pas Luftës së Dytë Botërore për të ushqyer paqen, raporton AP.
Administrata e Trumpit kishte paralajmëruar largimin nga organizata tetorin e vitit 2017 e edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu bëri të njëjtën, transmeton Koha.net.
Organizata me qendër në Paris është gjykuar nga kritikuesit e saj se po nxit paragjykime anti-Izrael: kritikoi okupimin e Jerusalemit Lindor nga Izraeli, i shpalli vendet antike hebreje si trashëgimi palestineze dhe e pranoi me të drejta të plota Palestinën më 2011.
SHBA-ja ka kërkuar “reforma thelbësore” në agjenci që njihet më së miri për programin e saj të Trashëgimisë Botërore për mbrojtje të vendeve kulturore dhe traditave. UNESCO po ashtu punon në përmirësimin e edukimit për vajzat, në promovimin e të kuptuarit të tmerreve të Holokaustit si dhe mbrojtjen e lirive mediale.