Botë

Turqia thotë se do ta vazhdojë luftën kundër ISIS-it, edhe pas tërheqjes së SHBA-së nga Siria

Turqia u zotua se lufta kundër Shtetit Islamik nuk do të ngadalësohet, edhe pas tërheqjes së SHBA-së nga Siria, ku rebelët e mbështetur nga Ankaraja përforcuan pozicionet e tyre rreth qytetit të Manbij.

Ibrahim Kalin, zëdhënësi i presidentit Tayyip Erdogan hodhi poshtë shqetësimet se tërheqja e urdhëruar nga Presidenti Donald Trump do të lejonte Shtetin Islamik të rifitonte territorin e humbur në Siri, gjatë këtyre viteve të betejës.

“Si pjesë e koalicionit global për të mposhtur ISIS, ne do të dëshironim të shprehim përsëri se nuk do të lejojmë që një gjë e tillë të ndodhë në tokën siriane, tokën e Irakut ose tokën turke”, tha Kalin në një konferencë shtypi. Ai shtoi se nuk do të ketë përçarje apo ngadalësim të luftës kundër grupit militant.

Erdogan dhe Trump ranë dakord në një telefonatë të dielën për të vendosur një koordinim ushtarak dhe diplomatik për të parandaluar një vakum të fuqisë që të zhvillohet pasi Shtetet e Bashkuara të tërhiqen, transmeton kp.

Një komision i zyrtarëve ushtarakë të SHBA do të vizitojë Turqinë këtë javë për të diskutuar hollësitë e tërheqjes me homologët e tyre, tha Kalin, duke shtuar se Turqia do të rriste koordinimin edhe me Rusinë në Siri.

Rusia mbështet Presidentin sirian Bashar al-Assad, ndërsa Turqia ka mbështetur rebelët që luftojnë kundër tij. Të dy vendet arritën një marrëveshje në shtator për të krijuar një zonë të çmilitarizuar në rajonin Idlibit, bastioni i fundit i madh rebel.