Botë

SHBA-ja dëshiron rivendosjen e kufizimeve ndaj Iranit

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se Uashingtoni, do të punojë me anëtarët e përhershëm të Këshillit, për të rivendosur kufizimet ndaj raketave balistike të Iranit.

Në fjalimin e tij të mërkuren, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Iranin, Pompeo, tha gjithashtu, se embargoja e armëve ndaj Teheranit nuk duhet të hiqet në vitin 2020-të.

Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të vendos “masa inspektimi në portet dhe në det të hapur, për të penguar përpjekjet e vazhdueshme të Iranit për të anashkaluar kufizimet e armëve”.

Takimi i Këshillit të Sigurimit vjen pasi një komandant i lartë ushtarak iranian konfirmoi se Teherani kohët e fundit bëri një provë të raketave balistike, veprim ky që u dënua nga fuqitë perendimore.

"Ne po vazhdojmë testet tona të raketave dhe kjo e fundit ishte një provë e rëndësishme," citonte agjensia e lajmeve Fars, komandantin e hapësirës ajrore Islamike Revolucionare të Korpusit, gjeneral brigade Amirali Hajizadeh.

Këshilli i Siggurimit u takua javën e shkuar për të diskutuar testin e dhjetorit, për të cilin, Shtetet e Bashkuara, thanë se shkeli Rezolutën 2231 të OKB-së, e cila u miratua si pjesë e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 midis Teheranit dhe fuqive botërore.

Britania dhe Franca e përshkruan provën si "provokative" dhe "jokonsistente" me rezolutën.

Rusia, e cila ka të drejtën e vetos, e mbrojti të drejtën e Iranit për të kryer teste raketore.

Rezoluta 2231 ka bërë thirrje që Irani të përmbahet nga testimi i raketave të afta për të mbajtur një armë bërthamore, por nuk e ndalon në mënyrë specifike Teheranin nga nisjet me raketa.

Teherani thotë se programi i tij i raketave është mbrojtës dhe nuk ka për qëllim ndërtimin e një arsenali të raketave bërthamore.