Botë

Macron kërkon “ushtri të njëmendtë evropiane” në mbrojtje nga Rusia e SHBA-ja

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje të martën, me rastin e shënimit të një shekulli që prej shpërthimit të ndasive të Luftës së Parë Botërore, për krijimin e një “ushtrie të njëmendtë evropiane” me qëllim të mbrojtjes më të mirë nga Rusia, por madje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Macron, i cili ka insistuar për krijimin e një force të përbashkët ushtarake në BE-së që prej ardhjes në pushtet vitin e shkuar, ka thënë se Evropa ka nevojë ta kufizojë varshmërinë e saj nga fuqia amerikane, jo vetëm tani pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi tërheqjen nga traktati bërthamor i kohës së Luftës së Ftohtë.

“Ne duhet të mbrohemi nga vendet si Kina, Rusia por edhe SHBA-ja”, tha Macron për radion “Europe 1”. “Kur e shoh presidentin Trump tek njofton se po tërhiqet nga një traktat madhor i çarmatimit, i cili ishte arritur pas krizës së raketave të të 80’ave që goditi Evropën, mendoj se kush është viktima kryesore? Evropa dhe siguria e saj”, tha ai, raporton “Associated France Press”, transmeton Koha.net.

“Ne nuk do t’i mbrojmë evropianët për aq kohë sa nuk vendosim që ta kemi një ushtri të njëmendtë evropiane”, tha ai në intervistën e transmetuar të martën në Verdun, verilindje të Francës. Duke pretenduar se Evropa përballet me një Rusi që “është fare pranë kufijve tanë dhe po kërcënon”, Macroni tha: “Na duhet një Evropë e cila është në gjendje që ta mbrojë veten shumë më mirë, pa u detyruar që në aspektin e mbrojtjes thjeshtë të varet nga SHBA-ja, por të jetë më sovrane”.

BE-ja ka iniciuar vitin e shkuar një fond të përbashkët shumë miliarda dollarësh për Mbrojtjen, me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve ushtarake evropiane dhe pavarësimit strategjik të Kontinentit.