Shefi i NATO-s thotë se Rusia është “në shkelje” të traktatit bërthamor Foto: Reuters / ilustrim

Shefi i NATO-s thotë se Rusia është “në shkelje” të traktatit bërthamor

24 October 2018 17:31

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha sot se Rusia ishte “në shkelje” të një traktati të rëndësishëm bërthamor dhe i kërkoi Moskës që të vepronte në përputhje me marrëveshjen “në një mënyrë transparente dhe të verifikueshme”.

Komentet e Stoltenbergut pasojnë njoftimin e Presidentit Donald Trump për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Shkurtër dhe të Mesme Veprimi (INF) për shkak të shkeljeve të Rusisë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se shkelja e traktatit bërthamor nga Rusia nuk mund të lejohet të vazhdojë.

“Të gjithë aleatët janë dakord se Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Shkurtër dhe të Mesme Veprimi (INF) është i rëndësishëm dhe pikërisht për këtë arsye ne jemi kaq të shqetësuar për qëndrimin rus. Gjithashtu të gjithë aleatët, natyrisht janë dakord me Shtetet e Bashkuara se Uashingtoni e ka respektuar plotësisht traktatin. Në të njëjtën kohë, ne jemi deklaruar në mënyrë të qartë se shpjegimi më i besueshëm është se Rusia tani është në shkelje të traktatit dhe për këtë arsye sfida, problemi, është sjellja ruse, që ne e kemi parë gjatë shumë viteve dhe është thënë qartë se kjo nuk mund të vazhdojë. Ne nuk mund të kemi një traktat mes dy palëve, që respektohet vetëm nga njëra prej tyre”, citon VOA të ketë thënë Stoltenberg.

Sekretari i NATO-s i bëri komentet pak ditë pasi Trumpi njoftoi synimin e tij për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Shkurtër dhe të Mesme Veprimi (INF) për shkak të shkeljeve të Rusisë.

Të hënën, Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë të prodhojnë armë bërthamore dhe raketat balistike që ishin të ndaluara nga traktati.

Kremlini tha të martën se Presidenti Trump po mban “një qëndrim të rrezikshëm” duke vendosur të braktisë një traktat ekzistues pa ofruar asgjë për ta zëvendësuar atë.

Traktati, i cili u nënshkrua në dhjetor 1987 nga presidentët e atëhershëm Regan dhe Gorbaçov, u kërkon të dyja palëve të eleminojnë të gjitha armët bërthamore me rreze veprimi nga 500 deri në 5,500 kilometra së bashku me sistemet e lëshimit.

Kina nuk ishte palë e marrëveshjes origjinale, dhe Presidenti Trump ka argumentuar se edhe Pekini duhet të jetë pjesë e tij.

Kur u nënshkrua në vitin 1987, traktati u vlerësua si një mbrojtje e madhe për sigurinë globale pasi ai eliminoi raketat me rreze të shkurtër veprimi, të cilat mund t’i godisnin objektivat brenda disa minutave.

Eliminimi i armëve të tilla destabilizuese në teori do të lejonte më shumë kohë për vendimmarrje në rast të një paralajmërimi për një sulmi me raketa.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg foli edhe rreth manovrave më të mëdha të NATOs që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë të cilat do të fillojnë të enjten në Norvegji.

Manovrat, në të cilat do të marrin pjesë të 29 aleatët e NATO-s, do të përfshijnë rreth 65 anije, 250 avionë, 10,000 automjete dhe 50,000 ushtarë, tha ai.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme