43 të vdekur nga tragjedia e urës në Gjenova Foto: Reuters

43 të vdekur nga tragjedia e urës në Gjenova

18 August 2018 19:09

43 të vdekur është bilanci përfundimtar i viktimave pas tragjedisë që ndodhi në Gjenova, ku u shemb një pjesë e urës Morandi.

Mediat në Itali raportojnë se është nxjerrë edhe viktima e fundit nga rrënojat, Mirko Vicini, 31 vjeç. Ndërsa ka ndërruar jetë edhe një prej të plagosurve, shtetasi rumun 36-vjeçar Marian Rosca.

Mirko Vicini i cili u gjet sot nën rrënoja, pak para tragjedisë ishte poshtë urës për të marrë turnin, pasi punonte për AMIU, firmën e pastrimit të bashkisë. Trupi i kolegut, Bruno Casagrande, u gjet, ndërsa Vicini rezultoi të ishte i fundit. Nëna e tij Paola prej 4 ditësh qëndronte tek rrënojat, në pritje të një lajmi, raporton “Abcnews”.

Ndërkohë gjatë natës u nxor nga rrënojat makina ku ishte një familje.

“Tgcom” raporton se bëhet fjalë për familjen Cecala, babai Cristian, nëna Dawna dhe vogëlushja e tyre 9-vjeçare Kristal. Makina me trupat e pajetë u zbulua gjatë natës, nën një bllok të madh prej çimento në urën Morandi.

Tragjedia në Gjenova ndodhi mesditën e 14 gushtit, ku u shemb një pjesë e Urës Morandi.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme