Blerja e gjësendeve kurrë nuk ka qenë më e lehtë sesa tash në epokën e teknologjisë, ku çdo gjë është vetëm një klikim larg. Bërja e pazarit online, përveç të gjitha përparësive që i ofron, me vete bart edhe rrezikun e mashtrimit nga shitës online.
Blerjet online në Kosovë kanë shënuar rritje gjatë kohës kur vendi u mbyll për shkak të pandemisë COVID-19, e në këtë kohë u rrit edhe numri i qytetarëve që u mashtruan nga tregtarët online.
Qytetari Ensar Bajrami, në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV, ka treguar se si ishte mashtruar nga një faqe në Instagram, prej të cilës kishte porositur një orë të mençur.
Ai tha se pasi e kishte pranuar porosinë, e kishte kuptuar që ora nuk ishte ajo që i ishte prezantuar, për më keq orën të cilën i kishin dërguar ishte jo funksionale.
“Kam porositur një orë, një ‘smart-watch’ prej një faqe në rrjete sociale. Drejtën të them nuk është që e kam analizuar shumë faqen se për me ble online duhet me pas parasysh, ta analizosh faqen se a e kanë numrin e telefonit, a e kanë lokacionin e dyqanit apo diçka të tillë, kështu që unë vetëm më ka pëlqyer ora edhe e kam porositur. Ka qenë në një vlerë mesa po më kujtohet tash prej 30 ose 40 euro, nuk është një vlerë ku me ditë çka, po prapë janë paratë e mia. Kështu që, pas porosisë, ora ka ardhur mirëpo nuk ka qenë e llojit të njëjtë çfarë unë e kam porositur edhe aq më keq nuk ka funksionuar fare”, ka thënë ai.
Ai tregoi se pasi që kishte pranuar porosinë dhe e kishte kuptuar që ora nuk ishte e njëjtë kishte kontaktuar faqen ku kishte porositur, por kishte mbetur pa përgjigje.
“Menjëherë ju kam shkruar dhe ju kam dërguar edhe në foto, ju kam thënë që ora nuk është e njëjtë me atë që e kam porositur edhe nuk është duke funksionuar, kështu që pas kësaj ata nuk janë përgjigjur më asnjëherë. Tregova që e kam publikuar nëpër grupe të ndryshme nëpër rrjete sociale vetëm për me i vetëdijesu njerëzit që duhet me pas shumë kujdes kur bëjnë blerje online. E di që është edhe institucionale kjo që duhet me raportu tek Agjencioni për Mbrojtje të Konsumatorit. Unë nuk e kam bërë atë ndoshta edhe për shkak të kohës, për shkak të angazhimeve. Por duhet me pas shumë kujdes prej këtyre faqeve online çka bëjnë shitje. E di që edhe në Kosovë po edhe jashtë vendit ka edhe kompani serioze që bëjnë shitje online, kështu që duhet me pas shumë parasysh lokacionin dyqanit ku e kanë numrin kontaktues”, ka thënë ai tutje.