Ruzhdi Gagica është ndërmjetësues në Gjilan dhe njëherësh edhe anëtar i Odës së Ndërmjetësuesve.
Sipas tij, në Gjilan në vazhdimësi lëndët e ndërmjetësimit iu janë referuar vetëm një apo dy ndërmjetësuesve përkatësisht: Fadil Sinanajt dhe Baki Sylejmanit.
Sipas tij, kjo ka ndodhur pasi në pozitën e zyrtarit për referim të lëndëve për ndërmjetësim është Baki Sylejmani, i cili ka ndarë lëndët vetëm te dy ndërmjetësues.
Gagica thotë se e gjithë kjo që ka ndodhur paraqet konflikt të interesit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e zyrtarit të Gjykatës.
“Është një ndërmjetësues edhe avokat Fadil Sinani, edhe është një zyrtar aty, Baki Sylejmani. Veç ky Baki Sylejmani për shembull në tremujorin e parë i ka pas 10 lëndë në gjykatë. Shtrohet pyetja po mos të ishte i punësuar në gjykatë a do t’i kishte pas kaq lëndë. Jo se tjerët ndërmjetëses nuk kanë... edhe të gjithë ndërmjetësuesit kanë një mori, një lumë ose një mal me ankesa të cilat më janë drejtuar mua si anëtar i Bordit dhe përfaqësues i tyre me shkrim edhe t’u thanë shumica se që nga viti 2017 e tutje nuk kam pas asnjë rast në ndërmjetësim”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se tashme kanë bërë kallëzim penal në prokurorinë Themelore në Gjilan me dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
“Ne dyshojmë se këtu ka konflikt interesi, ndoshta është keqpërdorim i pozitës dhe i autoritetit zyrtar dhe për këtë ne e kemi ngritur zërin dhe kemi sensibilizuar këtë çështje në të gjitha instancat ju kemi drejtuar Prokurorisë së Shtetit. Iu kemi drejtuar Prokurorisë Themelore në Gjilan, me kallëzim penal, e kemi njoftuar me shkrim ish-kryetarin e Gjykatës dhe tani kryetarin e ri të Gjykatës me veprimet të cilat është duke i marrë zyrtari i zyrës për ndërmjetësim në Gjilan”, është shprehur ai.
Njëra prej mënyra më efikase për zgjidhjen jashtëgjyqësore të kontesteve civile dhe penale, është procedura e ndërmjetësimit.
Instituti i ndërmjetësimit ka filluar për herë të parë në Kosovë në vitin 2011. Ndërmjetësimi bazohet në pjesëmarrjen vullnetare të palëve si një procedurë në të cilën një ndërmjetësues pa fuqi gjykuese lehtëson sistematikisht komunikimin midis palëve, me qëllim të aftësimit të vetë palëve që të marrin përgjegjësinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së tyre. Karakteristikat kryesore të ndërmjetësimit janë konfidencialiteti i procedurës dhe neutraliteti i ndërmjetësit. Derisa procedurat gjyqësore janë autoritative dhe formale, ndërmjetësimi ofron një qasje fleksibile, jo formale dhe mbi të gjitha të vullnetshme në të gjitha aspektet.
Procedura e ndërmjetësimit ka një sërë benefitesh si për palët, ashtu edhe për sistemin e drejtësisë, duke ndikuar edhe në lirimin e sistemit të drejtësisë nga një numër i konsiderueshëm i lëndëve.
Tashmë ndërmjetësimi është i detyrueshëm për disa kategori sipas ligjit.
Ndërtimi i institutit të ndërmjetësimit ishte përkrahur fuqishëm nga USAID, ku në fillet e zbatimit zyrtarët e saj kishin menaxhuar zyrat e ndërmjetësimit.