BETIMI PËR DREJTËSI

Betimi për Drejtësi: Politikanë dhe ndërtime pa leje

“Betimi për Drejtësi” ju sjell hulumtimin për ndërtimet pa leje në pronat që hisedarë janë të zgjedhurit e popullit – politikanët.

Cilat janë arsyet pse deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ndërtoi shtëpizë pa lejen e Komunës së Istogut në bjeshkët e Moknës?

Si në Zonën e Mbrojtur në Parkun e Sharrit, në pronën që hisedar është deputeti i VV-së, Sali Zyba, u ndërtuar një shtëpizë prej drurit?

Pse Zyba mohon se ka dijeni për ndërtimin e saj e në anën tjetër fotografitë e publikuara në Fb e dëshmojnë të kundërtën?

Kush ndërtoi pa leje në pronën e kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni?
Për çfarë arsye Ardian Shala i LDK-së në Suharekë e ndërtoi shtëpinë pa leje?

 


Pse ndërtoi pa leje shtëpizë malore deputeti Bekë Berisha?

“Betimi për Drejtësi” ka gjetur pikërisht politikanë të cilët ndërtuan pa leje. Disa prej politikanëve, objektet e të cilëve janë hulumtuar ndërtimet pa leje i arsyetojnë me faktin se “nuk kishin kohë” të merreshin me dokumentacionin, e në disa raste të tjera ndërtimet u bënë nga familjarët e tyre.

Në bjeshkën e bukur të Moknës, në zonën perëndimore të Kosovës, në afërsi të Istogut, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, para shtatë vitesh ka ndërtuar një shtëpizë, pa leje.
Për këtë, ai thotë se nuk i pyeti institucionet, por banorët e fshatit.

“Pse, pse me leje, kallxom ti mu. Qysh është leja?”, deklaroi deputeti Berisha, kur u pyet nga “Betimi për Drejtësi” pse ndërtoi pa leje shtëpizën malore.

“Ajo është ndërtu qe nja 7 vjet. Është ndërtu në një zone kufitare. Aty ku e kam ndërtu unë është edhe përmendorja e një djali të ri që e kanë vra serbët prej baze aty edhe kam deshtë me pas prani në atë pjesë. Fillimisht i kam pyet ata fshatarët sepse ajo është pronë e fshatit, quhet. Ka plot këso, ju duhet me trajtu edhe këtë fenomen. i kam pyet: A muj me bë një stan këtu? E kam marrë miratimin e tyre se nuk bën pa i pyet ata fshatarët edhe e kam bë një vikendicë të vogël, nja 2 ari vend. Pastaj e kam rrethu për me i rujt do pisha se pos qatyhit kërkun nuk ka se i kanë pre krejt komuna, t’u i keqpërdorë”, vazhdoi më tej sqarimin e tij Berisha.

Më pas Berisha tregoi se përveç banorëve të zonës, u interesua edhe për ta legalizuar, por nuk e gjeti adresën e duhur.

“Po kam shiku, po këtu s’din kush me të kallxu as ku duhet me bë kërkesën as kush është kompetent. Veç thonë jo zyra kjo, jo zyra në Pejë, jo zyra në Prishtinë, jo zyra në komunë, po kjo o metë qështu, edhe unë nuk jam fort i zoti me ju nga pak, tash unë për një vikendicë me nga nëpër krejt Kosovë, mas ktyne, kush janë këta zyrtarë e çka janë. Po nuk kam ditë kurrë me i ra në fije qysh, ku me bë se nuk ka pranu kurrkush, jo na s’jemi, jo na s’jemi, jo na s’jemi”, shtoi ai.

Dukagjin Hoxha, Drejtor në Drejtorinë e Planifikimit Urban dhe Mjedis në Komunën e Istogut, thotë  se deputeti Berisha nuk ka bërë asnjëherë kërkesë për leje apo legalizim të shtëpizës që ka ndërtuar në Mokne.

“Pranimin e lëndës nga qendra për shërbime me qytetar e bëj unë personalisht dhe me protokollet tona zyrtare nuk kemi shënim zyrtar që pala e lartcekur që e potencuat që ka bërë kërkesë për leje ndërtimore apo qoftë ndonjë kërkesë tjetër”, deklaroi Hoxha.

Se asnjëherë nuk bëri kërkesë me shkrim, e pranon edhe deputeti Berisha.

Gazetarja: A keni bë kërkesa me shkrim në Komunë  a Ministri, apo veç jeni takuar fizikisht?

Bekë Berisha: Po more, po kam provu njëherë, e qysh me bë kur s’ta pranon ai, thotë unë nuk jam, tani unë nuk jam. Shkon në Pejë, nuk jam. Në Prishtinë, nuk jam. Unë nuk jam, kurrkush nuk është. Dmth kurrkush nuk i del përballë kësaj pune. Veç qështu e zgjasin, procedura burokratike, në mënyrën për me u bë politike kjo punë edhe ti me më vetë mu, pse ke ndërtu pa leje një stan.

Tashti vetëm a nihesh keq prej këtyre njerëzve, hajt vetëm? Dmth hiq hiq.

Gazetarja: Në çfarë aspekti a ndihesh keq?

Bekë Berisha: Si kam ndërtu pa leje, ose duhet me kanë unë shembull. Kallxom ti mu qysh duhet me u bë shembull një politikan, për një çështje qeshtu.

Gazetarja: Me respektu ligjin.

Bekë Berisha: A?

Gazetarja: Me respektu ligjin.

Bekë Berisha: Po ligjin e respektoj, po cilin ligj, ku me respektu, cilën zyre, ku janë udhëzimet? Qysh duhet me bë?

Gazetarja: Me u interesu, ato janë të...

Bekë Berisha: Po jam interesu, a po të kallëzoj që jam intresu”, sqarohet Berisha.

Në anën tjetër Dukagjin HOXHA, Drejtor në Drejtorinë e Planifikimit Urban dhe Mjedis në Komunën e Istogut thotë se të gjitha këto detaje janë të përcaktuara në ligj.

“Ligji i përcakton të gjitha, cilat janë kompetenca e marrjes së një leje ndërtimore, nuk ka nevojë të endet nëpër objekt e nëpër zyre, por ligji e përcakton se në cilën zyre duhet e ku me i marrë informacionet e duhura dhe me u pajisë”, tha ai.

Por deputeti Berisha, pretendon se krejt këtë punë, të mos dhënies së informative të duhura, ia bënë me qëllim.

“Po kurrë s’kam pas informatë, jo duhet kështu, burokratike e bojshin. Qëllimi është për me më lanë si politikan, për me ardhë unë me dhanë këtë intervistë këtu te ti, demek që ajo është pa leje”, tha ai.

Kushtrim Buleshkaj, Drejtor i Inspeksionit në Istog përmes postës elektronika ka thënë se janë në dijeni për këtë ndërtim pa leje, i cili kur është inspektuar, si ndërtim ishte i përfunduar. Dhe si i tillë, është përfshirë në një raport të përgjithshëm të hartuar nga Drejtoria e Urbanizmit, i cili mbulon të gjitha ndërtimet pa leje në atë zonë.

“Ne po ndjekim të gjitha procedurat e nevojshme për të adresuar këtë çështje në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi”.

Buleshkaj, më tej ka treguar edhe hapat e ndërmarrë për këtë rast.

“Është vendosur shenja zyrtare për ndërprerjen e Punimeve. Është bërë Inspektimi dhe Dokumentimi: Një ekip inspektorësh ka vizituar  territorin në bjeshkët e Istogut  për të verifikuar ndërtimet pa leje dhe ka përgatitur një raport të detajuar mbi gjendjen aktuale. Është bërë njoftimi i palës:  z.Berisha është njoftuar zyrtarisht për shkeljen dhe është ftuar të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm  për legalizim. Po ashtu është njoftuar për afatin e Legalizimit”, ka njoftuar Buleshkaj përmes postës elektronike.

I pyetur nga “Betimi për Drejtësi”, deputeti Berisha ka treguar se njoftimi i Komunës së Istogut për procedura të legalizimit i erdhi pas interesimit të ekipit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, për këtë rast.

Përmes telefonit Berisha ka treguar se njoftimin nga Komuna e pranoi pasi u intervistua ai nga ekipi i emisionit më datë 22 korrik.

Deputeti i VV-së thotë se nuk është në dijeni se vëllai i tij ndërtoi shtëpizë malore pa leje në pronën e përbashkët

Për dallim nga bjeshka e Moknës, ku lejohet ndërtimi dhe krejt çka duhet bërë është ndjekja e procedurave ligjore për t’u pajisur me leje ndërtimi, në Parkun e Mbrojtur të Sharrit, i cili shtrihet në zona të caktuara në bjeshkët e Sharrit, nuk lejohen ndërtimet.

E këtu, shtëpizë nga druri, ka ndërtuar dikush nga familja e deputetit të Vetëvendosjes Sali Zyba.
Më saktësisht, shtëpiza me bazë të betoni  e me konstrukt të drurit, është ndërtuar në një parcelë të tokës e cila gjendet në fshatin Delloc të Komunës së Suharekës, por që i përket Parkut të Mbrojtur të Sharrit.

Parcela ku është ndërtuar shtëpiza ka 21365 metër katrorë dhe është pronë private.

Hisedar të kësaj parcele janë 10 anëtarë të familjes Zyba, ndër ta deputeti Salih Zyba dhe  vëllai i tij Bajram Zyba.

Meqenëse parcela fizikisht i bie të jetë në zonën kadastrale të Komunës së Suharekës, Visar Kuçi, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Suharekës tregoi se leje ndërtimi për këtë shtëpisë nuk ka, pasi që aty nuk lejohet fare të ndërtohet.

“Për parcelën tjetër 2108/0, zona kadasrale Delloc, pas pyetjeve të juaja, ne e kemi verifiku parcelën edhe përgjigjen ua kemi kthy përmes emailit me datën 18.06.2024. Kjo parcelë është në pjesën e parkut Sharr është pjesë e mbrojtur. Kur i kemi hartu dokumentet hapësinore, ne nuk kemi pas të drejtë me zhvillu diçka për atë zonë sepse i përket Ministrisë së Mjedisit. Edhe pse e di që Ministria është duke e hartu planin hapësinor”, tha Kuçi.

Ai, më tej shpjegoi se Parku Sharr në zonë e Dellocit ndahet në tri zona.

“E kjo parcelë prapë them, ndodhet në zonë e dytë. Nuk lejohet ndërtimi i kësaj apo të tjerëve. Kur i kemi hartu dokumentet tona hapësinore, ne e kemi vendos një shirit me kërkesë të ministrisë – shiriti mbrojtës – thirret, 100-metërsh, në mes të komunës dhe parkut Sharr që edhe ai lloj shiriti mbrojtës që edhe aty nuk lejohet zona e ndërtimit. Edhe pse komuna, në pjesën e Dellocit, e kemi të planifikuar edhe në hartë zonale, jemi duke i zhvillu procedurat për hartimin e planit rregullues të hollësishëm, të fshatit turistik Delloc.  Por, prapë ka të bëjë me pjesën tonë të komunës, jo me pjesën e Malit Sharr. Në pjesën e Malit Sharr janë duke u marrë ministria”, përfundoi drejtori Kuçi, për “Betimi për Drejtësi”.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, e cila funksionon nën Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Përmes postës elektronike, Nail Kryeziu, udhëheqës i Sektorit të Pylltarisë në Drejtorinë për Administrimin e Parkut Kombëtar Sharri (DAPK), ka thënë se shtëpiza në fjalë nuk ka leje ndërtimi.

Në rastet e ndërtimeve pa leje në këtë zonë, Kryeziu thotë se ushtrohet kallëzim penal.

Gazetarja: A është e lejuar ndërtimi në zonën 2 të zonës së mbrojtur të parkut Sharr?

Nail Kryeziu: Në zonën 2 të mbrojtur në PK “Sharri” ndërtimet nuk janë të lejuara.

Gazetarja: Në ngastrën kadastrale 02108-0 në Delloc të Suharekës është identifikuar një ndërtim pa leje, çfarë do të bëni me të?

Nail Kryeziu: Për këtë ndërtim pa leje bëhet procevserbali për ndërtuesin nga mbikëqyrësi i zonave të mbrojtura dhe paraqitet kallëzimi penal për ndërtim ilegal në organet e drejtësisë (Prokurorinë dhe Gjykatën) si dhe me shkresë zyrtare njoftohet Inspektorati i komunës Suharekës për llojin e ndërtimit dhe marrjen e masave siç kemi kërkuar edhe më herët”, ka sqaruar ai.

Kryeziu ka bërë të ditur se në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar Sharr, ka edhe shumë ndërtime të tjera pa leje, për të cilat kanë nisur procedura.

Nail Kryeziu: Gjithsej janë rreth 500 ndërtime ilegale në PK “Sharri”, një pjesë e këtyre ndërtimeve janë para se të shpallet Park Kombëtar.

Gazetarja: Çfarë masash ka ndërmarrë drejtoria juaj për këto raste të ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të parkut Sharr?

Nail Kryeziu: Nga masat që janë ndërmarr veçohen: plotësimi i procesverbaleve dhe procedimi i kallëzimeve penale për ndërtime ilegale në organet e drejtësisë; rrënimi i objekteve ilegale në bashkëpunim me Inspektoratin e MMPHI-së, organet e drejtësisë dhe Policinë në veçanti në zonën e Prevallës, etj.

Për ndërtimet ilegale janë njoftuar të gjitha organet kompetente: MMPHI, komunat ku shtrihet territori i PK “Sharri”, Policia, organet e drejtësisë (Prokuroria dhe Gjykata) etj. dhe janë kërkuar masat dhe veprimet konkrete”, përfundoi ai.

Ditën kur ekipi i emisionit “Betimi për Drejtësi” xhiroi në këtë zonë të mbrojtur ishte i shoqëruar nga Rafit Kurtishi, Inspektor i Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe një rojtar i pyjeve.

Ata, në vend të ngjarjes, identifikuan parcelën, ndërtimin e bërë dhe filluan procedurat.

Gazetarja: Çka ndodhë tash me këtë objekt, ju e keni identifiku sot që është pa leje, çka ndodhë tash?

Rafit Kurtishi: Tash unë pranojmë edhe kërkojmë më shumë informata, në cilën kohë është ndërtu objekti, mas këtyre e dërgojmë raportin zyra për në Parkun Shari dhe e përgatisim lëndën për Prokurori. Kur kryhet kjo me lëndën, ne raportojmë në Ministri, Agjenci për Drejtori parku dhe presim thirrjen prej institucioneve juridike.

Gazetarja: Por, sot është hera e parë që vini me inspektuar këtë shtëpi?

Kurtishi: Po, për këtë shtëpi hera e parë. Deri tash nuk kam asnjë informata për këtë objekt.

Gazetarja: Në këtë zonë ku jemi tash, a lejohet ndërtimi i shtëpive, vikendicave, pushimoreve?

Kurtishi: Jo, vikendica, villa, ndërtesa jo, është vetëm në zona e tretë. Kjo këtu është zona e dytë. Unë kam informata që është zona e dytë. Zona e parë është strikt, ndalohet krejt aktiviteti, vetëm me leje special nga ministria. Zona e dytë për punë tradicionale, kullosa, etj etj. Ndërtesa është vetëm në zonën e tretë, normal vetëm nga ministria”, shpjegoi i nspektori.

Por kush është pronari i kësaj shtëpize?

Drilon Zyba, Këshilltar e shofer në Ministrinë e Industrisë Ndërmarrësisë e Tregtisë, ka mohuar se ai është ndërtues i kësaj ville, duke theksuar se është e familjarëve të tij. Por, pa treguar se është e vëllait të tij. Ndërkohë, pas insistimit të ekipit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, vëllai i tij, Shumbin Zyba, ka konfirmuar se shtëpiza malore është ndërtuar nga ai.

“Pershendetje z.Ahmeti. Po të përgjigjem ne pyetjen tënde. Po unë e kam ndërtuar shtëpinë nga druri.
Ju përshëndes. Gjithë të mirat”, ka shkruar Shkumbin Zyba në një komunikim në Facebook.

Ai nuk është përgjigjur nëse, është interesuar të marrë leje ndërtimore e as të di nëse aty lejohet ndërtimi.

Derisa ishte akoma e pa konfirmuar se kush e ka ndërtuar këtë shtëpizë, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe deputetin Sali Zyba, për të mësuar pronarin e shtëpizës, pasi që ajo ishte ndërtuar në pronën ku një ndër dhjetë pronarët e saj ishte edhe vetë deputeti Zyba.

Në takimin e zhvilluar me të në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, Zyba e mohon që ka ndërtuar vetë, por nuk tregon nëse e din se kush e ka ndërtuar.

Gazetarja: Është një ndërtim pa leje, në një pronë ku edhe ju jeni bashkëpronar.

Sali Zyba: Ne e kemi ndarjen, kesh tu të thënë, këta, janë pasardhësit e babagjyshit tim përfshi edhe mu. Kjo është trashëgimia, është pronë private, parcelë private. Në atë zonë ka ndërtime të shumta, për të cilën unë kam ba, ngritë shqetësimin atëherë, nuk jam nalë. Ndoshta edhe për vilën të cilën po e konsideroj unë, po e konsideroni ju. A po kupton. Nuk po them që s’ka ndërtime, ka ndërtime. Unë nuk kam ndërtim. A po kupton? Unë nuk kam investu kurrënjëherë në pronë private, as në një vend”, tha deputeti Zyba.

Si funksionar e qytetar i zëshëm kundër ndërtimeve pa leje, sa ishte Drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Sali Zyba edhe si kandidat për kryetar të komunës së Suharekës nga radhët e Vetëvendosjes, në zgjedhjet e vitit 2017, kishte premtuar se do të ndalte ndërtimet pa leje në komunë.

Por, Zyba nuk është parë i zëshëm për ndërtimin e shtëpizës në Delloc të Suharekës, ku përveç që është pa leje, si objekt nuk lejohet fare të ndërtohet, pasi që ndërtimi është i ndaluar në këtë zonë të parkut të mbrojtur Sharr.

Gazetarja: Në bashkëpronësi me u ndërtu diçka pa leje, tash a ju bie barra të gjithëve?

Sali Zyba: Nuk je t’u dashtë me kuptu. Nuk ka qenë, në fazën, është tu u bartë prej babgjyshit. Unë se kam ditë që më ka lënë ose më len babgjyshi. Ligji ka me ma caktu, a më takon a nuk më takon. Nashta, që po thu ti, ka maru dikush ose maron, ja paftë hajrin e paska maru në tokë teme. Unë nesër e paditi këndo, edhe e fitoj, ti ndërtimin e ke bo pa leje. Po na e kem 70% të Prishtinës, unë kam punu drejtor i Inspeksionit, ti e din këtë punë andaj s’ja jap vetit atë të drejtë. Nëse s’jam koritë qitu, nuk koritna në bjeshkë. A po kupton, nuk koritna… Nuk e kam ndërmend me të thanë diçka. Qysh të dush të përgjigjna, por jo qështu ngurtë”, tha Zyba.

Edhe pse në këtë diskutim në hapësirat e Kuvendit, Zyba shprehej se nuk ishte në dijeni për ndërtimin e kësaj shtëpizë pa leje, disa fotografi të shpërndara nga djali i vëllait të tij, Shkumbin Zyba, më 9 janar të vitit 2023, deputeti Zyba shihet brenda në këtë shtëpizë, bashkë me Drilon Zybën e disa familjarë të tjerë.
 

Në pronën e kryetarit të Gjilanit në Artanë, babai dhe vëllai i tij ndërtuan villë pa leje

Artana njihet si një nga qytezat turistike në Kosovë. Ajo që sot vizitohet më shumë për shkak të fortesës së madhe mesjetare, në formë koni, viteve të fundit është bërë shënjestër e blerësve dhe ndërtuesve shqiptarë. Kryesisht shtëpiza malore, pushimore e objekte hoteliere.

Por jo të gjithë blerësit e patundshmërive në fshatrat e bukura të Artanës kanë respektuar ligjet e ndërtimit. Duke filluar nga leja për të ndërtuar.

Një nga këta ndërtues pa leje është hiq më pak se kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

Nga dhjetori i vitit 2013, dy parcela në fshatin Dragancë të Artanës, njëra 790 metër katrorë e tjetra 456, kanë kaluar në emrin e tij.

Dhe, në mes të këtyre dy parcelave, është ndërtuar shtëpiza nga druri e cila për bazë ka material të fortë.

Se objekti është pa leje, e thotë Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Kadastrit dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Artanës, Selatin Beqiri.

Gazetarja: A ka bë kërkesë për ndërtim te ju?

Selatin Beqiri: Po shiqo unë nuk kam kërkesë të tyne.

Gazetarja: A lejohet ndërtimi në atë zonë?

Selatin Beqiri: Është pjesë që lejohet sepse është e paraparë me plan zhvillimor komunal. Lejohet ndërtimi, por me i plotësu kushtet e planit zhvillimor?

Gazetarja: Çfarë kushtesh?

"Shndërrimin e pronës, që ka kyçje të rrugës, të rrymës, kanalizimit. Prej tokës bujqësore në tokë ndërtimore. Procedurë që duhet të kryhet. Nuk kam kërkesë në zyre teme, që kanë ardhë me bë kërkesë”, sqaroi Beqiri për “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, fillimisht e mohon se prona dhe shtëpiza janë në emrin e tij.

Gazetarja: Pse keni ndërtu vikendicë pa leje në Dragancë të Artanës?

Alban Hyseni: A ka mundësi ta fillojmë dëgjimin publik sot, e më pastaj mund të përgjigjem në pyetjet e juaja.

Gazetarja: Unë e pres edhe dëgjimin, por të lutem a mund të përgjigjesh?

Alban Hyseni: Unë nuk kam ndërtu as villa e nuk kam as prona, sepse nuk kam punu unë më herët që me pas villa e prona.

Gazetarja: Po ne kemi gjet dy prona të cilat janë në emrin e juaj në Dragancë të Artanës dhe aty është pa një vikendicë në të.

Alban Hyseni: Ato janë prona të blera prej babait tim dhe vëllait tim, kur kanë punu në Afganistan e Irak. Nuk janë prona që i kam ble unë.

Gazetarja: Megjithatë është pa leje e ndërtuar.

Alban Hyseni: Po shkoni pyeteni vëllain tim e babin tim dhe për pronat edhe për lekët.

Gazetarja: Por, prona është në emrin e juaj.

“Po unë po ju tregoj punën e pronës, ju prapë po vazhdoni. Shikoni sa njeri po më pret, të lutem. Keni mirëkuptim”, deklaroi ai për “Betimi për Drejtësi.

Hyseni insiston se shtëpiza e ndërtuar pa leje është ndërtuar nga babai i tij në pronën me emrin e tij.

Gazetarja: Pse keni leju me u ndërtu pa leje?

Alban Hyseni: Unë ju tregova edhe çështjen e pronës dhe vikendicës, sepse nuk është villë. Është shtëpizë e drurit 50 metër katrorë që ka kushtu me kontratë 7 mijë euro, të cilën vëllai im e babai im e kanë ndërtu kur kanë punu në Afganistan e Irak. Babi im nga viti 2006, deri në vitin 2019 ose 20, ka punu atje. Pra, në kohën më të mirë, kur i ka pas dy fëmijë adoleshentë, ka shku në luftë për të punu. Shkoni pyeteni është këtu.

Gazetarja: Por, megjithatë është pa leje, pse keni leju me u ndërtu pa leje?

Alban Hyseni: Pse nuk jam kryetar i Artanës unë, shkoni pyeteni kryetarin e Artanës, nuk e di.

Gazetarja: Por, ju duke e ditë që s’bën me ndërtu pa leje e keni ndrëtu pa leje. A e dini që ndërtimi pa leje është vepër penale?

“Më lajmëroni në prokurori sikur të gjithë të tjerët që po bëjnë aty”, përfundoi ai.

Se kur është ndërtuar kjo shtëpizë, Hyseni nuk tregoi, e as Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Artanës nuk e di. Por, në ortofoto të gjeoportalit, deri në vitin 2018, aty nuk shihet asnjë shtëpizë e ndërtuar.

Goran Simijonoviq, Drejtor i Inspeksionit në Komunën e Artanës, ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se viteve të fundit në fshatra dhe në Artanë, dukshëm është shtuar numri I ndërtimeve.

“Sa për të konkluduar për shtëpizën e kryetarit të përmendur të Gjilanit, sa i përket atij individi, nuk kemi filluar të merremi me ato çështje që datojnë që nga viti 2018, 2019. Kur themi 2018, bëhet fjalë për muajin shtator, pas shtatorit 2018, në vitin 2019, 2020, 2021, ndërtimi dukshëm po ndodhte gjatë asaj periudhe. Dhe natyrshëm, gjatë asaj periudhe, ka gjasa që të jenë ndërtuar deri në 3000 shtëpi pushimi/shtëpiza, por vërtet nuk e di”, ka thënë Simijonoviq.

Simijonoviq që detyrën e drejtorit të inspeksionit e ka marrë nga shtatori i vitit 2022, thotë se kanë arritur të identifikojnë një numër të konsiderueshëm të ndërtimeve pa leje.

“Ne kemi një inspektor ndërtimi dhe kemi 204 kilometra katrorë në territorin tonë dhe në kushte shumë të vështira pune duhet të jemi më të fokusuar në aktivitetet aktuale, zhvillimet aktuale dhe ndërtimet aktuale në komunë. Nuk kemi dy vjet, kemi një vit e gjashtë muaj. 211 për të kaluarën, bëhet fjalë për sistemin 4+1, plus procedurën e rregullt. Mbi 30 raste janë proceduar, qoftë në gjykatë, qoftë në zyrën kadastrale për marrjen e dokumentacionit. Gjithashtu, janë shqiptuar më shumë se 10 gjoba ndërtimore me shkrim”, tregoi ai.

Edhe kryetari i Degës së LDK-së në Therandë ndërtoi shtëpi pa leje, arsyetohet se ishte rindërtim

Kryetari i Degës së LDK-së në Komunën e Therandës, Ardian Shala, ka përfunduar punimet e vrazhda të shtëpisë në fshatin Mushtisht të kësaj komune.

Ish-deputeti i po kësaj partie dhe ish-kandidati për kryetar të Komunës në Therandës, këtë shtëpi e ka ndërtuar pa leje.

Visar Kuçi, Drejtor i Urbanizmit në Komunë të Therandës, që për këtë ndërtim pa leje thotë se u informua nga ekipi i emisionit “Betimi për Drejtësi”, konfirmon se Ardian Shala nuk ka marrë leje ndërtimi për shtëpinë e re.

Gazetarja: Sipas të dhënave aty ka qenë një objekt paraprakisht?

Visar Kuçi: Parcela në fjalë, shihet qartë që në oetofoton e Gjeoportalit të viit 2018, ka qenë një objekt dhe në bazë të dhënave që na keni dhënë ju, tash është ndërtu një objekt pa leje. Objekti i kaluar dhe ai nuk po besoj që ka pas leje por ka qenë një objekt, nuk po shihet që është shtëpi, por një pleme, një shtallë apo një depo diçka po shihet në këtë parcel që është. Por çka është më interesant, edhe nëse ka pas objekt dhe është prishë, parcela në fjalë i ka plotësu kushtet me u pajisë me leje ndërtimore dhe nëse vërtetë është edhe parcela në emër të personit që e ka ndërtu shtëpinë ajo është edhe më mirë se ka mujt me u pajisë me leje ndërtimore për shkak se shumë qytetarë e kanë dëshirën me u pajisë me leje ndërtimore por pronat nuk i kanë në emër të tij. E aq më shumë ne, duke u nis nga vetvetja që jam drejtor i urbanizmit, personi në fjalë, doktori që duhet me dhënë shembull qytetarëve që duhet me u pajis me leje ndërtiore para se fillu ndërtimi i një shtëpie apo një objekti, çkado qoftë”, tha Kuci për “Betimi për Drejtësi.

Por, vetë Shala, kur u pyet nga “Betimi për Drejtësi”, nëse kishte ndërtuar shtëpi pa leje, përmes telefonit i mohoi këto pretendime. Ai tha se nuk bëhet fjalë për ndërtim pa leje, por renovim.

Gazetarja: z.Shala, kemi një informatë që ju jeni në përfundim e sipër të një shtëpie, në fshatin Mushtisht, pa leje, a është e vërtetë?

Ardian Shala: Jo.

Gazetarja: Domethënë keni leje ndërtimi?

Ardian Shala: Jo, jo as leje as kurrgjë, renovim është ajo. S’ka kurrgjë.

Gazetarja: Renovim i brendshëm, apo i jashtëm apo ndonjë kati më shumë?

“I brendshëm, i brendshëm. Dhoma, ndarje”, u përgjigj Shala pa dhënë më shumë informata përmes telefonit, për emisionin “Betimi për Drejtësi.

Më pas, në intervistë para kamere, Kryetari i degës së LDK-së në Therandë, Ardian Shala, tha se bëhet fjalë për rindërtim.

Pasi që në të njëjtin vend kishte rrëzuar një shtëpi të vjetër të familje dhe nuk kishte kohë për të nisur procedurat e marrjes së lejes.

“Thjeshtë ideja e kësaj ka qenë kështu, renovimi, ta renovoj atë se kisha qejf me e rujt si të shenjtë, por pa mundësia për me i qëndru aspektit arkitektonike etj etj e ka bë të pamundur me qëndru në ato, shtëpi e vjetër edhe nuk i ka plotësu kushtet edhe jam detyru pak me, me, në qato…

Gazetarja: Kur është konstatu kjo gjendje, pse s’keni marrë pastaj leje për rrënim të objektit të vjetër e pastaj…

Ardian Shala: Siç e potencova…

Gazetarja: Pastaj me marrë leje për objektin e ri?

Ardian Shala: Të thash që angazhimet e mija janë tepër të mëdha. Ne kemi fillu njëherë për renovim, pastaj angazhimet e mëdhaja, në një far forme, mjeshtrit veç i kam të përcaktuar ato, nuk kam mujt më, koha për me u marrë me atë. Me të vërtetë kam angazhime të mëdha, prej orës 6 deri në mbrëmje unë veç me punë të mija merrem. Dhe atë nuk. Bile bile muj me ju thënë a kam qenë 3 herë aty prej që ka fillu. Dëshira e madhe është me qenë çdo ditë aty, po nuk kam shku për arsye se thash, as se kam pritë këtë. Të thash jam për me bë legalizim, absolut nuk i iki as një procedure, as një procedure”, shpjegoi Shala.

Në diskutim e sipër, Shala arsyetohet se askush nëpër fshatra nuk ka leje ndërtimore.

“Më thuaj dikush, më thuaj ti veç në fshatin tim sa shtëpi janë me leje? Ma thuaj?

Gazetarja: Por kjo nuk të amniston ty nga faji, ju mbi të gjitha jeni person publik dhe politik, përtej qytetarëve të tjerë atje që s’kanë pozita…

Ardian Shala: Veç t’i dallojmë, veç t’i dallojmë çështjet, çka është ndërtim dhe rindërtim.

Gazetarja: Nga ajo që kemi pa, është komplet ndërtim i ri.

Ardian Shala: Po, në qato themele, në qatë etazhitet, në qatë sipërfaqe…

Gazetarja: Por, procedura e lejes është e njëjta?

Ardian Shala: Por, ndëgjo veç diçka, është e pamundur edhe procedurat për leje t’i kisha ndjekë, të thash nuk e kam llogaritë deri në këtë pjesë që ka kaq përmasa se unë kam llogaritë në çështjen e renovimit e jo diçka krejt tjetër, por duke qenë se shtëpia ka qenë e pa qëndrueshme”, arsyetohej Shala më tej.

Për këtë rast, Drejtoria e Inspeksionit në Therandë u njoftua pas interesimit të ekipit të emisionit “Betimi për Drejtësi”. Kjo pasi që, sipas Drejtores së Drejtorisë së Inspeksionit, Abulena Kokollari, kanë vetëm një inspektor dhe e kanë të vështirë të identifikojnë ndërtimet pa leje në tërë territorin e komunës.

“Është e vështirë që me një inspektor të inspektohet qyteti i Suharekës me 42 fshatra përreth që ka, për shkak se është një territor shumë i gjerë dhe është shumë e vështirë edhe për shkak të dinamikës që e ka drejtoria e inspeksioni. Mas pyetjeve që i kemi marrë dhe informacionet më 18 qershor nga gazeta juaj, kemi marrë menjëherë masa. Unë e kam delegu menjëherë punën tek inspektorja e ndërtimit, ajo ka dalë në terren dhe e ka vërtetu që ndërtimi i zotëri Arian Shala ka ndodhur pa leje. Edhe gjithashtu edhe rrënimi, për shkak se ndërtimi është bërë në po të njëjtin vend ku ka qenë edhe shtëpija e vjetër”, tha Kokollari.

Drejtorja Kokollari, paralajmëron se për këtë rast do të ndërmerren masa ligjore.

“I njëjti është edhe Ardian Shala, që është fatkeqësisht një person publik dhe duhet të jap mesazh vetëdijësues për qytetarët tjerë që të marrin leje, por kjo nuk ka ndodhur. Për shkak se Drejtoria e Inspeksionit nuk ka qenë e informuar tani e tutje ne duhet të veprojmë sipas ligjeve në fuqi dhe ashtu siç e kërkon ligji që të ndërmerren masa për këtë ndërtim pa leje.

Gazetarja: Cilat janë masat që do të ndërmerren?

“Inspektorja së pari do të shkoj ta verifikoj gjendjen se si ka ndodhë, të shikohet nëse mund të pajiset me legalizim për shkak se ligji për legalizim është ende në fuqi dhe personi në fjalë mund të merr legalizim. Në qoftë se i njëjti nuk e bën këtë gjë, ne do të veprojmë ashtu siç e kërkon ligji me procedura, me shiritim të objektit dhe në fund me rrënimin e objektit”, sqaroi Albulena Kokollari.

Shala, i cili ishte kandidat për kryetar komune të Therandës nga LDK, dhe zotohet se do të garojë sërish, thotë se do të ndjekë procedurat e legalizimit në tërësi.

“Unë do t’i ndjeki të gjitha procedurat e legalizimit, nuk jam për me i ikë. Të thashë më kanë ikë për shkak të angazhimeve të mëdhaja që kam, sinqerisht ta them.

Gazetarja: A e dini që ndërtimi pa leje është vepër penale? Me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Nëse kam bë ndërtim pa leje. Unë po them kam bërë një rindërtim mu këtu po më vjen keq që po e quani ndërtim këtë, në qat sipërfaqe, në qat gabarit apo qysh quhet, jam qaty. Nuk po kuptoj pse gjith ky insistim që ju keni bë ndërtim pa leje”, insiston Shala.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në Kosovë janë rreth 382 mijë ndërtime pa leje, ose 75% e ndërtimeve ekzistuese.

Sipas këtyre të dhënave vetëm në Prishtinë janë rreth 46 mijë ndërtime pa leje.

Nga ndërtimet pa leje, nuk janë kursyer as zonat malore të mbrojtura me ligj. Ndër to vlen të theksohet edhe Brezovica, për të cilën ka disa aktakuza të ngritura nga Prokuroria, ku përfshihen politikanë, gjykatës e zyrtarë të shumtë që kanë ndërtuar në zona ku ndalohet ndërtimi. Se si do të procedohen këto raste dhe cili do të jetë fati i tyre, mbetet të shihet.

Për më shumë, ndiqeni hulumtimin “Politikanë dhe ndërtime pa leje”, i cili transmetohet në Betimi për Drejtësi, KTV dhe TVArta/BetimipërDrejtësi