BETIMI PËR DREJTËSI

Ministria reagoi për konkursin e parë, për të dytin nuk mban përgjegjësi

MASHTI

Burime të “Betimi për Drejtësi” në universitet kanë treguar se Nurtene Deva më 21 mars 2024, ka dërguar tek anëtarët e Këshillit Drejtues vërtetimin se nuk është e dënuar në formën e shkallës së prerë.

Sipas dokumentit të cilin e posedon “Betimi për Drejtësi” vërtetimi është nxjerr më datën 5 mars 2024, pra pas përfundimit të konkursit për rektor.

Universitetet janë institucionet më të larta të arsimit, dhe përzgjedhja e rektores me vepër penale e dëmton integritetin e universitetit.

Edhe pse “Betimi për Drejtësi” në vazhdimësi ka raportuar se rektorja Nurtene Deva ka vepër penale por për këtë rast nuk ka pasur asnjë reagim nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

E për të zgjedhur Deven, u ndryshuan tre Këshilla Drejtuese të Universitetit.

Në fund të vitit të kaluar ky Universitet kishte zgjedhur rektore Merita Shalën. Por, MASHT dhe Ministrja Arberie Nagavci kishin reaguar publikisht lidhur me këtë proces.

“I nderuar Kryesues i Këshillit Drejtues, Bazuar në legjislacionin e zbatueshëm në Kosovë, përfshirë Ligjin 04/ L – 37 për Arsimin e Lartë Ligjin nr 05/L – 031 për procedurën e përgjithshme Administrative, Statutin e Universitetit, rregulloren për punën e Këshillin Drejtues te Universiteti të Mitrovicës, Ligji Nr. 08/L – 197 për Zyrtarët Publik, Ligjin për parandalimin e konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksioneve publike dhe Opinionin Ligjor të Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik për vlerësimin e ligjshmërisë për pozitën: Rektore e Universitetit, të gjeturave të MASHTIT, ankesat e anëtarëve individual të Këshillit Drejtues MASHTI si organi shqyrtues i bartësve të Arsimit të Lartë: Kërkon nga KD si organ kryesore qeverisës i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” dhe njëherit organ akt nxjerrës i vendimit për emerimin e rektorit të universitetit:
1. Ta shfuqizoj vendimin e KD-së, për emërimin e rektorit të universitetit
2. Të nxjerrë vendimin e ri shpalljen (përsëritjen) e konkursit për rektor të universitetit “Isa Boletini”në Mitrovicë” , thuhej në reagimin e ministrisë së arsimit.

Madje për këtë konkurs, ministrja e MAShTI-t, Arbërie Nagavci, pati folur edhe gjatë dy konferencave, në gusht dhe në dhjetor të vitit të kaluar.

E kemi pezulluar zgjedhjen e rektorit sepse kemi pasur një tentim të keqpërdorimit të skajshëm edhe abuzimit të qenit anëtarë të Këshillit Drejtues ku mbledhja është ftuar krejtësisht ndryshe nga ajo çka e parasheh do të thotë Statutit i Universitetit”, pati thënë ministrja në një konferencë në muajin gusht 2023

Deklaratë pothuajse të njëjtë, ministrja e kishte dhënë edhe në konferencën e fundvitit.

“Sa i përketë zgjedhjes së rektores së Universitetit të Mitrovicës  unë jam njoftuar nga anëtarët e Këshillit Drejtues se aty ka pasur probleme serioze me në raport me ligjin, për të cilin janë raportuar parregullsitë”, pati thënë ajo gjatë konferencës së muajit dhjetor 2023.

Në gusht dhe në dhjetor të vitit të kaluar, ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kishte folur rreth konkursit për rektor në universitetin e Mitrovicës, por tash pas zgjedhjes së Nurtene Deva në krye të Universitetit ajo thotë se përgjegjës për zgjedhjen e rektorit është Këshilli Drejtues, kështu duke rënë në kundërshtim me atë se çka kishte deklaruar vitin e kaluar.

“Këshilli Drejtues i Universitetit të Mitrovicës është përgjegjës për zgjedhjen e rektorit/es siç edhe e parasheh Statuti i Universitetit. Siç jeni në njohuri, MASHTI i ka 3 anëtarë në Këshill të cilët mund të përgjigjen për çdo detaj që lidhet me konkursin dhe zgjedhjen e rektores. Universitetet publike janë institucione të pavarura andaj, ju lusim që këto pyetje t’i drejtoni tek KD i Universitetit. Si Ministri e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit jemi të hapur për përgjigje për të gjitha temat që ndërlidhen me MASHTI”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

E reagimet e ministres Nagavci nuk shkuan ne vesh të shurdhër.

Gjatë kësaj periudhe kohore, dy herë radhazi kanë dhënë dorëheqje kryesuesit dhe anëtarët e përzgjedhur nga MAShTI.

Por, me të përzgjedhë anëtarët për herë të tretë Këshilli Drejtues u mblodh, katër muaj pas fillimit të vitit të ri akademik.

Në mbledhjen e mbajtur më 5 shkurt kryesuesja e këshillit, Albana Rexha, e cila është zgjedhur nga radhët e ministrisë, pikë të rendit të ditës e kishte futur dhe anulimin e konkursit për rektor, përmes së cilit ishte përzgjedhur rektorja Shala.

Këshilli Drejtues i udhëhequr nga Albana Rexha, ne nje proces të kontestuar arriti të shkarkonte rektoren Merita Shala, me shumicën e votave të anëtarëve të emëruar nga MAShT.

Gjithë kjo zhurmë u bë që në fund, përmes një konkursi të kundërligjshëm, në krye të universitetit të vinte një e dënuar për vepër penale nga kapitulli i korrupsionit.

Lexo përditësimet tjera
Nurtene Deva

“Kontrabandimi” i rektores në Universitetin e Mitrovicës

E dënuara me vepër penale të korrupsionit nga Gjykata Themelore në Mitrovicë tashmë është në krye...