“Betimi për Drejtësi” ka qenë më 27 mars në Universitetin e Mitrovicës dhe ka parë nga afër dokumentet e aplikimit të Devës.
Përveç dëshmisë së gjykatës, dëshmisë se ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit, mungon edhe nënshkrimi i dekanit në diplomën e doktoratës së Universitetit të Prishtinës, e vitit 2014.
“Betimi për Drejtësi” më 27 mars ka tentuar të marrë një përgjigje nga Deva, nëse diploma e saj është valide dhe e njëjta thotë se sipas Universiteti të Prishtinës diploma është valide.
Gazetarja: Diploma e juaj është pa nënshkrim të dekanit. A është valide diploma e juaj meqenëse ju tash jeni edhe rektore?
Rektorja Nurtene Deva: Valide është.
Gazetarja: Kush ta ka konfirmu?
Rektorja Nurtene Deva: Ma ka konfirmu Universiteti i Prishtinës, të lutem.
Gazetarja: Statuti i Universitetit të Prishtinës thotë që fillimisht duhet të nënshkruhet (diploma) nga dekani mandej nga rektori”.
Në një përgjigje përmes email-it, Deva, nuk jep sqarime pse diploma e saj nuk ka nënshkrim nga dekani, por ajo thotë se për këtë duhet të pyetjet Universiteti i Prishtinës.
“Diploma më është dorëzuar gjatë ceremonisë solemne nga ana e rektorit të atëhershëm të Universitetit të Prishtinës, prof.dr. Anton Berishaj në vitin 2014 dhe se e njëjta është e vulosur me vulën zyrtare të UP”, ashtu si parashikohet neni- 129, Statuti i UP , andaj pyetjen se pse nuk është nënshkruar nga ana e dekanit të atëhershëm mundeni të drejtoni tek UP”, thuhet në përgjigje.
Në anën tjetër, sipas Statutit të Universitetit të Prishtinës, neni 129 pika 2, thotë:
“Dokumenti i diplomës nënshkruhet nga rektori dhe dekani i njësisë akademike ku është mbrojtur me sukses punimi i disertacionit”.
Të njëjtën e thotë edhe statutit i Universitetit të Mitrovicës, në krye të së cilit tashmë është Deva.
Neni 128 pika 3, thotë “Diploma nënshkruhet nga rektori dhe dekani i njësisë akademike ku ka përfunduar studimin”.
Lidhur me mungesën e dëshmisë nga gjykata gjatë aplikimit për pozitën e rektorës, Deva thotë se nuk ka qenë e sqaruar se në cilin institucion të merret dëshmia. Të njejtën arsye e ka edhe për mungesën e dokumentit përmes së cilit do të dëshmonte se ajo ka qenë anëtare e Këshillit Drejtues.
“Bazuar në konkursin e shpallur të datës nuk është cekur se duhet bashkangjitur dokumente lidhur me përvojën menaxheriale (dëshmi që keni qenë anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit), gjersa sa i përket dëshmisë nga gjykata, po ashtu në konkurs nuk është cekur se duhet të jetë nga gjykata”
Rektorja e Universitetit të Mitrovicës, nuk e mohon faktin që është e dënuar për vepër penale, e njëjta thotë se gjoba prej 800 euro është paguar me kohë, ashtu siç parashihet me ligj.
“Aktgjykimit të cilit po i referoheni është bërë i plotfuqishëm me datë 29.09.2022; dhe gjobën e shqiptuar sipas këtij aktgjykimi e kam paguar ashtu siç parashihet me ligj. Sipas Kodit penal të Kosovës Pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur kryesit i shqiptohet gjoba (Neni 93, paragrafi 2 i KPRK). Lidhur me këtë, posedoj Certifikatën e lëshuar nga sistemi qendror i evidencës penale të Kosovës si dhe vërtetimin nga Gjykata komunale”, thuhet në përgjigje.
