Pas kthimit në rigjykim të rastit ndaj Naser Kelmendit, Gjykatës së shkallës së parë iu deshën afro 5 vite për të marrë një vendim për pikën e vetme që ishte kthyer në rigjykim.
Kësaj here i cilësuari si “bosi i drogës” në Ballkan, u dënua me 4 vjet e 8 muaj burgim apo 1 vjet e 4 muaj më pak burgim sesa ishte dënuar nga gjykatësit e EULEX-it. Këtë aktgjykim e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Qerkini, me anëtarët Violeta Namani dhe Musa Konxheli, thuhet në hulumtimin e “Betimi për Drejtësi” të transmetuar në KTV.
Shpartallimit të Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë ia kishte parë “sherrin” edhe lënda penale e të akuzuarit Naser Kelmendi. Kjo pasi në janar 2021 pesë gjykatësit ku bënte pjesë edhe gjykatësja Suzana Qerkini ishin avancuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke e lënë pa gjykuar këtë rast deri në caktimin e tij të serishëm gjykatëses Qerkini.
Mirëpo, që nga kthimi në rigjykim i këtij rasti e deri në avancimin e gjykatëses Qerkini, kishin kaluar afro dy vjet e pesë muaj dhe për këto 29 muaj, gjykata kishte dështuar të zhvillojë procesin e rigjykimit për të akuzuarin Kelmendi, duke bërë që nga katër seanca të planifikuara, tri prej tyre të dështojnë dhe vetëm një të mbahet.
Zvarritjes së këtij rasti në rigjykim i kishin kontribuar të gjitha palët në procedurë, dikush më shumë e dikush më pak, duke bërë që mbi 50 për qind e seancave të planifikuara të dështojnë.
Nga monitorimi i këtij rasti nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe “Betimi për Drejtësi”, rezulton se pas kthimit të lëndës në rigjykim nga Gjykata e shkallës së parë janë caktuar 21 seanca gjyqësore.
Prej tyre, 11 seanca kanë dështuar të mbaheshin. Gjashtë seanca kanë dështuar për shkak të mungesës së mbrojtësit të Naser Kelmendit, avokatit Besnik Berisha dhe vetë të akuzuarit, një seancë kishte dështuar për shkak të mungesës së prokurorit, të akuzuarit dhe avokatit të tij si dhe dëshmitarit, një për shkak të mungesës së anëtarit të trupit gjykues, një për shkak të mungesës së dëshmitarit dhe mbrojtësit të të akuzuarit si dhe dy seanca ishin anuluar për shkaqe të ndryshme.
Që nga kthimi në rigjykim të këtij rasti në 2018, anëtarët e trupit gjykues ishin ndërruar katër herë, fillimisht për shkak të kalimit të gjykatëses Qerkini në Departament Special, dhe tri herë të tjera kishte pasur ndryshime tek anëtarët e trupit gjykues.
Ndryshe, në seancën e parë të 26 janarit 2022 pasi rasti kishte kaluar në Departamentin Special, gjykatësja Qerkini kishte thënë se e ndjen të nevojshme të bëjë një sqarim sa i përket deklarimit të avokatit Berisha për tejzgjatjen e procedurave në këtë rast.
Sipas saj, një ndër arsyet e zvarritjes kishte qenë adresimi i kërkesave të saj, drejtuar Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me sigurimin e dëshmitarit K2.
Tutje, për zvarritjen e rastit, ajo e bart fajin edhe tek avancimi i saj në Departament Special, ku më 1 janar 2021, ajo dhe anëtarja e trupit gjykues, Violeta Namani, ishin përzgjedhur si gjykatëse në këtë departament, ndërsa lënda kishte mbetur në Departamentin për Krime të Rënda.
“Lënda ka mbetur në DKR, prandaj ka ardhur kjo zhagitje, por sërish është kthyer te ne dhe ja ku jemi”, kishte thënë ajo.
Edhe pse nga gjetjet e monitorimit rezulton se në procesin e rigjykimit 6 seanca kanë dështuar për shkak të mungesës së avokatit Besnik Berisha dhe klientit të tij, sipas Berishës, zvarritjet në këtë lëndë janë të pafalshme.
“Zvarritja në rigjykim është e pafalshme, sepse përderisa shkruhej për narkodilerin ndërkombëtar dhe unë çoja linçe në gjykatë dhe kërkoja që të nisej po flasim për 5 vjet, më 2018 është marrë vendimi në Apel, në 2023 jemi ende nuk ka vendim, është zgjatur më shumë rigjykimi nga liria për një pikë të aktakuzës, sesa gjykimi në paraburgim me tetë pika tjera të aktakuzës me dëshmitarë nga e gjithë bota. Mos të harrojmë se ky rigjykim është karakterizuar me zero prova të reja, është karakterizuar me zero dëshmitarë të dëgjuar përballë gjykatës”, ka thënë ai.
E sipas Berishës, kjo zvarritje ka ardhur për shkak se Gjykata nuk ka pasur guximin që të marrë një aktgjykim lirues për shkak të presionit publik të krijuar rreth profilit të Naser Kelmendit si “bos i drogës” në Ballkan, duke shpallur kështu një aktgjykim dënues që me përllogaritje, është afërsisht koha e kaluar në paraburgim.
“Gjykata në pamundësi për të ardhur deri tek një verdikt lirues, e ka përdorë zvarritjen si mjet neutralizues, pra që ta neutralizojë opinionin që Naser Kelmendi është akoma ne gjykim, pritet një ditë vendimi, dhe në fund u shpall vendimi që cent më cent e llogariti ditët e qëndrimit në paraburgim, pa çka se nuk ka as edhe një provë të vetme”, është shprehur Berisha.
Për më shumë ndiqeni hulumtimin “Shteti dështon të ndajë drejtësi për Naser Kelmendin të njohur si “bosi i drogës”, i cili transmetohet në KTV, TV Arta dhe “Betimi për Drejtësi”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.