Pas transmetimit të hulumtimit të emisionit “Betimi për Drejtësi” në KTV organet e Prokurorisë janë aktivizuar për të hetuar shkeljet e ekspozuara të ligjit.
Nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë njoftuar se kanë autorizuar Prokurorinë Themelore të Prishtinës dhe atë të Mitrovicë që të shqyrtojnë gjetjet e hulumtimit dhe më pas të ndërmarrin veprimet e nevojshme.
Ndaj avokatit Bedri Çitaku, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka njoftuar se ka autorizuar Policinë që të mbledhë të dhëna lidhur me rastin, në drejtim të veprës penale “Dhënia e kundërligjshme e ndihmës juridike”, nga neni 411 të KPRK.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk kanë njoftuar ende se çfarë hapa kanë ndërmarrë.
Tri ditë pas publikimit nga “Betimi për Drejtësi” të hulumtimit ekskluziv për “Mashtrimet në emër të avokatëve”, kishte dhënë dorëheqje drejtori Ekzekutiv i Odës së Avokatëve, Besim Curri.
Anëtarët e Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve kërkojnë mbledhje të jashtëzakonshme për Currin
Përballja me faktet nga hulumtimi i emisionit “Betimi për Drejtësi”, i transmetuar më 11 mars, ka shtyrë drejtorin ekzekutiv të Odës së Avokatëve të Kosovës, Besim Currin, që të japë dorëheqje.
Dorëheqja e tij erdhi të hënën, më 13 mars, në ditën e parë të punës pas publikimit të emisionit.
Njoftimin për dorëheqje, Curri ia kishte dërguar vetëm kryetarit të Odës, Behar Ejupi, ndërsa anëtarët e Këshillit Drejtues, të cilët e kishin përzgjedhur atë në pozitën e drejtorit, ishin injoruar.
Pas transmetimit të hulumtimit, njëri prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të Odës, Vehbi Beqiri ka kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues, për të diskutuar mbi veprimet e Currit si dhe për marrjen e masave disiplinore ndaj tij, duke mos qenë në dijeni as për ofrimin e dorëheqjes.
Tek pas kësaj kërkese, kryetari Behar Ejupi ua kishte dërguar anëtarëve të Këshillit Drejtues njoftimin për dorëheqjen e Besim Currit nga pozita e drejtorit.
“Konsideroj se ka qenë nevojë urgjente që ne të kërkojmë edhe të takohemi Këshilli Drejtues për të dëgjuar edhe versionin e zotit Curri për gjithë pretendimet që kanë dalë në emisionin tuaj. Për këtë qëllim, unë kam kërkuar dhe kam iniciuar që në datë 13 do me thonë menjëherë të hënën që të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit Drejtues në të cilën pikë e rendit të ditës do të jetë do të thotë të gjeturat nga emisioni tuaj dhe pasojat që kjo ka pas për Odën e Avokatëve në veçanti veprimet dhe prezantimet të cilat e kanë dëmtuar imazhin e Odës së Avokatëve, qoftë nga persona jashtë odës por edhe nga ana e stafit të Odës konkretisht drejtorit”, ka thënë Vehbi Beqiri, anëtar i Këshillit Drejtues të OAK.
Mirëpo, ky akt vuri në pah një tjetër situatë.
Anëtarët e Këshillit Drejtues paraqiten të përçarë karshi situatës së krijuar me Currin.
Kërkesa e Beqirit nuk ishte aprovuar nga kryetari i OAK-së, Behar Ejupi, i cili përmes postës elektronike të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, kishte njoftuar mbi dorëheqjen e Currit, duke u shprehur se kanë pushuar arsyet për mbledhje të jashtëzakonshme.
“Ju njoftoj se sot në mëngjes ka ofruar dorëheqjen e tij Drejtori Ekzekutiv, dhe kanë pushuar arsyet për thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme. Në kuadër të përgjegjësive të mia si Kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës, do të caktoj ushtruesin e detyrës për këtë pozitë, ashtu siç parashihet me normativën e OAK-së, derisa në mbledhjen e radhës së KD-së, jam i hapur për diskutime të cilat gjithmonë shkojnë në të mirë të OAK-së dhe Avokatisë”, ka shkruar kryetari Ejupi.
Por, në këtë njoftim, kryetari Ejupi, nuk ua kishte dërguar anëtarëve të Këshillit Drejtuar edhe shkresën me arsyen e dorëheqjes së Currit.
Pavarësisht kësaj, Beqiri insistonte në thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme, duke ia rikujtuar Ejupit se kjo kompetencë është e Këshillit Drejtues të Odës.
“Menjëherë pas kërkesës time që të mbahet mbledhja kam pranuar një e-mail nga ana e kryetarit të Odës, i cili ka kërkuar dhe më ka njoftuar se është ofruar dorëheqja dhe nuk ka nevojë për mbledhje të jashtëzakonshme. Përkundër kësaj, unë kam kërkuar prapë që vendimmarrja Këshillin Drejtues është vendimmarrje kolektive, do të thotë kryetari i Odës vepron sipas autorizimeve që merren nga ana e këshillit drejtues. Do të thotë Këshilli Drejtues është organ kolegjial, i cili është kompetent për vlerësimin e veprimeve pretenduese ndaj drejtorit. Kështu që ai më ka njoftuar që është ofruar dorëheqja dhe nuk ka nevojë për mbledhje. Unë përkundër kësaj kom kërkuar prapë me e-mail që të takohet Këshilli Drejtues më së largu deri të mërkurën do të thonë sot ora 16:00”, ka shtuar Beqiri.
Anëtari i KD-së, Barbullushi kundërshton mbledhjen e jashtëzakonshme: “Aaa mos më shurdhoni”
Përveç kryetarit Ejupi, kundër mbajtjes së mbledhjes së jashtëzakonshme është edhe anëtari tjetër, Ergjyment Barbullushi.
Madje, ai ka shprehur habi me dorëheqjen e Currit, duke kërkuar revokimin e saj, duke pyetur se çfarë shkelje ka bërë.
Kjo, përkundër faktit se ai paraqitej rrejshëm si avokat, jepte ndihmë juridike përmes përfaqësimit si dhe takohej me palë brenda orarit zyrtar në OAK.
“Unë e kundërshtoj fuqishëm mbledhjen e jashtëzakonshme të KD. Asnjë veprim të kundërligjshëm nuk e ka ndërmarrë drejtori Ekzekutiv, Besim Curri. Me Ligjin për Procedurën Kontestimore nuk është paraparë asnjë kufizim se kush mundet dhe kush nuk mundet të e ushtrojë atë përfaqësim. Përfaqësimi nuk është i kufizuar për personat zyrtarë të asnjë rangu që ushtrojnë detyra tjera. Këtë mund ta bëjë edhe presidenti edhe kryeministri i Kosovës. E mjaftueshme është që përfaqësuesi të mos i shkaktojë dëme atij që e përfaqëson. Nuk e di pse Besim Curri ka dhënë dorëheqje me pa nevojë. Cila dispozitë është shkelur nga përfaqësimi i tij? Tregoni cila është ajo dispozitë dhe do ta analizojmë. Mendimet tendencioze nuk na takojnë. Besim Currit i propozoj të revokojë dorëheqjen se është ngutur nga presioni i paskrupullt. “Betimi për Drejtësi” nuk është Gjykatë Kushtetuese”, ka shkruar Ergjyment Barbullushi.
Në diskutime e sipër në formë elektronike, pro mbajtjes së mbledhjes së jashtëzakonshme, kishin dalë edhe nënkryetari, Naim Rudari dhe anëtari nga Dega e Prishtinës, Nasuf Hasani.
“Unë konsideroj se me deklarimin e dorëheqjes, Besim Curri është e dëmshme të qëndroj brenda ambienteve të objektit të Odës së Avokatëve sepse edhe më përpara nuk ka tregu konstruktivitet në punën e tina pra, nuk e ka respektu punën e tij. Pra, siç u pa edhe në emisionin tuaj kur gjatë orarit të punës, gjatë orarit të punës del dhe bisedon me juve, pra Besim Curri nuk ka pas asnjë kontroll për punën e tij”, thotë Nasuf Hasani, anëtar i Këshillit Drejtues.
Megjithatë, kjo nuk e kishte bindur sërish Barbullushin, i cili konsideronte se nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme.
Sipas tij, është Oda e Avokatëve që duhet të bëjë analizimin e situatës e jo “Betimi për Drejtësi”, duke kundërshtuar sërish mbajtjen e takimit.
“Nevojat gjithmonë ekzistojnë për të rregulluar çështje të caktuara, por nuk është e arsyeshme që ato të rregullohen në mënyrë të jashtëzakonshme por në atë të zakonshme nga se asgjë nuk ka ndodhur e jashtëzakonshme. Ata që atë po kërkojnë, e dimë ne që nga fillimi. Në çdo rast për të argumentuar një gjendje faktike provat duhet të jenë të pranueshme dhe jo të servuara nga porositësit e tyre. Ne jemi ata që e bëjmë analizimin dhe vlerësimin e tyre dhe jo “Betimi për Drejtësi”. Nëse dikush mendon se çdo gjë ka përfunduar e ka gabim”, ka vazhduar anëtari Barbullushi.
Për këtë, “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë sqarime të tjera nga Barbullushi.
Por, sapo gazetarja është prezantuar, nuk ka pranuar të flasë, duke përdorur shprehje joadekuate.
“Gazetarja: Alo?
Barbullushi: Alo?
Gazetarja: Përshëndetje zotëri Barbullushi.
Barbullushi: Po?
Gazetarja: Jam Alberta Hashani gazetare prej emisionit “Betimi për Drejtësi”. Si jeni?
Barbullushi: Aa mos më shurdhoni, mos më thirrni mu në telefon, hajt hupni (nuk kuptohet)
Gazetarja: A mundemi të lutem shkurtimisht, e kemi pa ..
Ndalet linja.”
Kryetari i Odës së Avokatëve shkel Statutin, nuk thërret mbledhjen e jashtëzakonshme
Me kërkesën për mbledhje të jashtëzakonshme të 4 prej 11 anëtarëve të Këshillit Drejtues: Vehbi Beqiri, Naim Rudari, Blerim Ademaj dhe Nasuf Hasani, ishte përmbushur kushti i paraparë në Statutin e OAK-së për ta thirrur atë.
“Sipas Behar Ejupit, theksohet se nuk ka nevojë të thirret mbledhje e jashtëzakonshme. Mirëpo, në këtë rast përderisa katër anëtarë të Këshillit Drejtues e kanë kërkuar mbledhjen e jashtëzakonshme, atëherë duhet të thirret”, thotë Nasuf Hasani, anëtar i Këshillit Drejtues të OAK-së.
Megjithatë, të mërkurën mbledhja nuk u thirr.
Hulumtuesi i lartë ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, thotë se ky veprim përbën shkelje të Statutit të OAK-së.
“Pra, kryetari nuk e ka në diskrecion, nuk është në vlerësimin e tij nëse kjo mbledhje mund të thirret ose jo. I njëjti, vetëm si anëtar i barabartë mund të japë një qëndrim të tij nëse kjo mbledhje duhet të thirret apo nuk duhet të thirret. Mirëpo, nëse ka pëlqimin ose kërkesën e të paktën katër anëtarëve që kjo mbledhje të ftohet, definitivisht se kryetari vetëm duhet ta ftojë këtë takim. Në të kundërtën, nëse kryetari nuk vepron përballë një kërkesë të tillë të të paktën katër anëtarëve të KD-së, definitivisht se i njëjti ka shkelur Statutin e Odës së Avokatëve të Kosovës”, sqaron Shala.
Cilën agjendë po e shkruante kryetari i Odës së Avokatëve në zyrën e Currit?
Ekipi i emisionit “Betimi për Drejtësi” para se të zhvillonte një intervistë me Nasuf Hasanin që është përfaqësues i Degës së Prishtinës, zyrat e të cilës gjendet në të njëjtën hapësirë me Odën, ka tentuar të marrë një përgjigje nga kryetari dhe drejtori ekzekutiv i Odës së Avokatëve të Kosovës.
Në zyrën e drejtorit ekzekutiv, Besim Curri, është parë edhe kryetari, Behar Ejupi, i cili ka refuzuar të intervistohet.
Shkurt ka thënë se janë duke shkruar agjendën e ditës.
“Gazetarja: Më fal, a kishim mujt shkurt vetëm deri tek drejtori ekzekutiv?
Zyrtari i OAK: Drejtori? Veç pak, të këqyrim. A është aty drejtori Vlorë?
Gazetarja: Mirëdita, a jeni lodh? Si jeni?
Ejupi: Po, urdhno?
Gazetarja: Jom Alberta, ju gjeta dyve se dyve kesh t’u ju kërku?
Ejupi: Jemi zënë, të lutna na lironi zyrën, vazhdoni( nuk kuptohet)..
Gazetarja: Veç të prezantona fillimisht se nuk pata kohë as me u prezantu?
Ejupi: Ju lutem, jemi duke e përgatit agjendën. Vazhdo tek zyrtari për informim.
Gazetarja: Ju kemi telefonu para disa dite edhe nuk na jeni përgjigj, për ata deshëm edhe me u taku sepse edhe në e-mail nuk jeni përgjigj?
Ejupi: Nëse është incizim i kundërligjshëm e lajmëroj Policinë.”
Ejupi nuk ka pranuar që të bisedohet më shumë për të kuptuar se cila agjendë po shkruhej në zyrën e Currit, tashmë të dorëhequr, dhe pikërisht nga kompjuteri i tij.
Njëkohësisht që nga java e kaluar, ai nuk i është përgjigjur kërkesës për intervistë të adresuar përmes postës elektronike, dhe as telefonatave të ekipit “Betimi për Drejtësi”.
Derisa gjatë këtij tentimi për bisedim, Curri ka heshtur plotësisht.
Curri jep dorëheqje ani se thotë se nuk ka bërë asnjë shkelje
Tek në fund të orarit të punës së ditës së mërkurë, anëtarët e Këshillit Drejtues kanë pranuar një tjetër komunikimin nga Behar Ejupi.
Në këtë komunikim elektronik, atyre u është dorëzuar shkresa e dorëheqjes së Currit dhe agjenda për mbledhjen e radhës, që doli të mos jetë e jashtëzakonshme, siç kanë kërkuar katër anëtarët e Këshillit Drejtues, por e rregullt.
Në agjendë diskutimi për dorëheqjen e Currit figuron në pikën e shtatë të rendit të ditës.
Sipas anëtarëve të Këshillit Drejtues, kjo çështje nuk mund të rregullohet përmes mbledhjes së rregullt, pasi nevojitet respektim i afateve kohore për ndërmarrjen e masave disiplinore.
“Nuk është e rëndësisë shtatë, të pikës 7 dorëheqja e garantuesit apo shtyllës kryesore të Odës së Avokatëve. Mendoj se kjo duhet m’u mbajt një takim urgjent, me u caktu eventualisht nëse merren masa ose nëse drejtori ka dhanë dorëheqje me u caktu një ushtrues i përkohshëm edhe mu funksionalizu Oda e Avokatëve, nuk ka kohë për pritje, nuk besoj që kjo është as e parëndësishme kjo dorëheqje sa që të trajtohet në mbledhje të rregullt e cila edhe në kuadër të pikave të tjera do të jetë në pikën 7 siç më thatë ju”, ka thënë Beqiri.
Në anën tjetër, shkresa e dorëheqjes rezulton, sipas dokumentit të jetë protokolluar, po të njëjtën ditë kur edhe ka njoftuar Ejupi, megjithëse anëtarëve po iu dërgohej tre ditë pas.
Anomalia në këtë dorëheqje është arsyeja.
Në letrën e dorëheqjes të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Curri shkruan se si rezultat i interpretimeve dhe ngjarjeve të fundit, vullnetarisht ofron dorëheqjen nga pozita si akt moral.
Pavarësisht kësaj, ai arsyetohet se nuk ka shkelur ligjin me veprimet e tij, duke pretenduar se pasqyrimi i veprimeve të tij është manipuluar në emision, pa ofruar asnjë argument dhe përkundër dëshmive dhe ballafaqimit me faktet.
Tutje, Curri me pretendime të pazbuluara, tenton të japë konotacion tjetër fakteve, duke thënë se gjithë kjo është bërë në shërbim të individëve.
Ani se, nga këto veprime të vetmit që pësojnë janë qytetarët, të cilët keqshfrytëzohen nga mungesa e njohurive.
Ashtu siç edhe u dëshmua nga inskenimet e realizuara.
“Ajo që iu servua publikut është e njëanshme, keqinterpretim i qëllimshëm dhe është bërë me të vetmin qëllim që të dëmtohet imazhi i drejtori ekzekutiv dhe Odës së Avokatëve të Kosovës, derisa në anën tjetër synohet të përfitojnë individë të caktuar, për të cilët besoj se ju e dini shumë më mirë sesa unë..!”, ka shkruar në letrën e dorëheqjes Curri.
Manipulim, sipas Besim Currit, del të jetë paraqitja e realitetit nga emisioni “Betimi për Drejtësi” ku ai përgjigjet si avokat, duke mashtruar palët.
“Curri: Alo
Hulumtuesi: Alo, mirëdita.
Curri: Mirëdita.
Hulumtuesi: Më falni a po bisedoj me avokat Besim Currin.
Curri: Po, i nderuar”, është thënë në bisedën e parë.
“Hulumtuesi: Alo mirëdita?
Curri: Mirëdita?
Hulumtuesi: Me avokat Besim Currin a po bisedoj?
Curri: Po i nderuar urdhno?
Hulumtuesi: Avokat kërkoj falje, jom Ramizi të kom thirrë para njo dy dite për një çështje, do dokumente i kom në doganë do mall ma kanë ndalë ndoshta po të kujtohet.
Curri: Po”, është shprehur në bisedën e dytë”.
Anëtarët e Këshillit Drejtues kërkojnë llogari edhe nga kryetari dhe vëllai i Currit
Anëtarët e Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës kanë kërkuar llogari nga Besim Curri dhe vëllai i tij, Agron Curri, kryetar i Komisionit Disiplinor, i cili, sipas tyre, ka heshtur përballë shkeljeve të të vëllait.
“Në këtë rast vëllai i Currit po duhet të shihet se a ka interesa që Oda e Avokatëve të udhëhiqet nga një grup dhe të favorizohet një grup dhe një grup tjetër margjinalizohet apo blihen vota në Odën e Avokatëve”, ka thënë Vehbi Beqiri.
“Hasani: Po kjo problematikë me arsyen se me të vërtet me normativën e Odës dhe më konkretisht me kodin etik të Odës së Avokatëve, çdo avokat e ka për obligim ta ruaj imazhin e avokatisë. Në këtë rast, paraqitja e Besim Currit në atë mënyrë duke u thirrur në emër të avokatit ose duke u thirr si avokat se s’ka qenë fare avokat, unë konsideroj se është një cenim i jashtëzakonisht i madh i imazhit të avokatisë. Për arsyen se duke qenë se vet Besim Curri punon në Odën e Avokatëve, unë në këtë mënyrë i konsideroj veprimet e tij si të papërgjegjshme dhe padyshim se duhet t’i nënshtrohet procedura disiplinore para se të largohet nga Oda e Avokatëve
Gazetarja: Çfarë masash?
Hasani: Konkretisht, me që ka dhënë dorëheqje nga Oda e Avokatëve, atëherë bazuar në normativën e Odës së Avokatëve dhe në Ligjin e Punës sepse rregullimi i marrëdhënies së punës bëhet në Odën e Avokatëve sipas Ligjit të Punës, mirëpo unë si masë me që e ka deklaruar të hënën dorëheqjen atëherë unë konsideroj se nuk duhet si masë që menjëherë të largohet nga ambientet e Odës së Avokatëve”, ka shtuar Nasuf Hasani.
Përveç tij, ata thonë se para përgjegjësisë duhet të thirret edhe kryetari Ejupi, pasi vlerësojnë se janë mbyllur sytë karshi keqpërdorimeve të Currit.
Nëse nuk merren masa, atëherë adresë e fundit rezulton të jetë mbledhja e jashtëzakonshme të Kuvendit të Odës.
“Ai mban përgjegjësi për gjendjen e krijuar dhe se unë kuptoj se përveç përgjegjësisë së drejtpërdrejtë është edhe një përgjegjësi morale, menaxheriale, e të cilën po presim të reflekton. Po sipas të gjitha gjasave nuk jam shumë optimistë se kryetari i odës do të jetë i paanshëm këtë drejtim dhe do të merr hapa drejtim që t rishiqohet komplet veprimtaria e drejtorit në Odën e Avokatëve. Jo vetëm të drejtorit se në atë emisionin tuaj ka dal dy kuptimësi nga ana e disa përfaqësueseve raport me qytetarin dhe raport me drejtorin e odës për të njëjtat veprime, Kështu që konsideroj që këtu duhet të thirret Kuvendi i jashtëzakonshëm i Odës së Avokatëve i cili dhe për të cilën delegat kanë përgjegjësi që të marrin veprime të ndërpriten këto dukuri të cilat e dëmtojnë Odën e Avokatëve”, ka shtuar Beqiri.
Situata e krijuar në Odën e Avokatëve pas publikimit të gjetjeve të hulumtimit të “Betimit për Drejtësi”, sipas hulumtuesit Gzim Shala, mund të qartësohet vetëm nëse ka adresim të duhur të përgjegjësisë nga Këshilli Drejtues.
“Është mesazh i keq nëse Oda e Avokatëve të Kosovës nuk adreson përgjegjësinë disiplinore në të gjitha rastet dhe rrjedhimisht edhe në rastin konkret. Qëndrimi, aktualisht i drejtorit ekzekutiv në OAK, më së pakti çka mund të themi është se e dëmton imazhin e OAK-së veçanërisht para anëtarëve të OAK-së. Në këtë situatë definitivisht se Këshilli Drejtues është dashur që tani më vetëm të takohet dhe ta adresonte këtë situatë dhe të ndërmerrte të gjitha veprimet për ta adresuar përgjegjësinë disiplinore ndaj drejtorit të OAK-së duke pasur parasysh mundësinë që të ndërmerret masa e suspendimit deri kur të merret një vendim disiplinor”, ka thënë Shala.
Se si do të veprohet në mbledhjen e rregullt të caktuar për t’u mbajtur të martën më 21 mars, mbetet të shihet. Deri atëherë, drejtori ekzekutiv i Odës, Besim Curri, do të vazhdojë të paraqitet në punë.