BETIMI PËR DREJTËSI

Mashtrimet në emër të avokatëve

Ish-avokati i dënuar me burg mashtron sërish qytetarët, paraqitet si avokat pa licencë

Bedri Çitaku deri para 15 vjetësh ishte avokat. Por, në vitin 2008, ishte zënë duke mashtruar qytetarët dhe duke legalizuar përmbajtje të pavërtetë, për çka ishte dënuar me nëntë vite burgim efektiv.

Në rolin e avokatit, ai kishte falsifikuar dokumente pronësore me qëllim të shitjes së rrejshme dhe përfitimit të dobisë pasurore, duke dëmtuar qytetarët me qindra mijëra euro.

Një vit pas shpalljes së aktgjykimit, atij i kishte ulur dënimi në shtatë vite burgim nga Gjykata e Apelit.

Si rrjedhojë, Çitaku ishte dërguar në vuajtje të dënimit në burg dhe licenca e avokatit iu kishte revokuar.

Pas vuajtjes së dënimit, Bedri Çitaku nuk e ka harruar zejen e tij. Ai ka hapur një zyre në Mitrovicë, ku pret palët për t’iu kryer shërbime, sikurse të ishte sërish avokat i licencuar.

Në një thirrje të ekipit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, Çitaku përgjigjet si avokat, ani se nuk është.

Emri i tij nuk figuron në listën e avokatëve në faqen e Odës së Avokatëve të Kosovës.

Për qëllim të hulumtimit, ekipi i emisionit “Betimi për Drejtësi”, ka inskenuar një situatë përmes së cilës është shpërfaqur mashtrimi i Çitakut përballë qytetarëve.

Gazetarja është paraqitur në rolin e një vajze, e cila ende pa i bërë një vit martesë kërkon të shkurorëzohet.

Për këtë, ajo kërkon përpilimin e një padie, pasi bashkëshorti nuk po pajtohet me ndarjen.

Për ta përpiluar padinë Çitaku vendos dhe një çmim dhe kërkon që një shumë të paguhet qysh në fillim.

Gjatë procesit të hulumtimit, për ta sfiduar Çitakun, të nesërmen atij i është paraqitur një situatë tjetër.

Ai paraqitet si avokat vetëm për rastet civile, pasi në këto rastet keqinterpretohet Ligji i Procedurës Kontestimore, i cili përcakton se secila palë mund të përfaqësohet sipas autorizimit nga secili person.

Ndërsa, kur i kërkohet që të kryejë shërbime në fushën penale, Çitaku heziton të përfshihet. Atij i simulohet një kërkesë nga gazetarja që ta përfaqësojë si avokat edhe për t’u mbrojtur nga një aktakuzë e prokurorisë, kinse për kërcënim.

Çitaku nuk zmbrapset: Nuk më është tërhequr kurrë licenca

Pas gjithë këtyre situatave të inskenuara nga redaksia në shërbim të hulumtimit të temës, gazetarja paraqitet në rolin e saj të vërtetë. Çitakut i bëhet me dije se gjithë këto biseda dhe takime kanë qenë inskenime, për të provuar nëse ai po vazhdon të mashtrojë qytetarët.

Fillimisht duke u paraqitur si avokat, por pa pasur licencë, dhe më pas duke ofruar ndihmë juridike në rastet civile përmes përfaqësimit.

Çitaku i referohet regjistrimit të biznesit në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, si legjitimim të veprimtarisë si avokat.

Çitaku: Oda e Avokatëve është dashtë me ma pru vendimin që m’u ka marrë licenca ose çka do, unë tash nuk e di, se unë hala jam i regjistruar, regjistrimi bohet në administratën ARBK, unë jam hala i regjistruar.

Gazetarja: Ju jeni i regjistruar në ARKB, mirëpo ARBK-ja është Agjenci për Regjistrimin e Bizneseve, ndërsa licenca si avokat merret nga Oda e Avokatëve të Kosovës.

Çitaku: Përndryshe unë jam i regjistruar me gjithë numër.

Gazetarja: Dhe ju nuk jeni pjesë e listës së avokatëve të licencuar.

Çitaku: E kam supozuar një gjë të tillë, po unë kom të drejtë, mundem marrë pjesë në çdo kontest civil ku është e lidhur me vlerë.

Gazetarja: Ju, a jeni avokat?

Çitaku: Unë s’kam vendim që m’u ka marrë licenca.

Gazetarja: Ligji me automatizëm thotë që në momentin që ju jeni i dënuar u tërhiqet licenca si avokat.

Çitaku: Jo, kur jam unë i dënuar nuk ka qenë Ligji i Avokatisë. Dhe në aktgjykim nuk shkruan që as apsolutikisht asnjë rreth licencën dhe i tërë aktgjykimi është shkelje flagrante e ligjit.

Gazetarja: Megjithatë është aktgjykim i plotfuqishëm dhe ju jeni dënuar.

Çitaku: U kry.

Gazetarja: Atëherë pse nuk merrni pjesë në seancat kur kemi të bëjmë me rastet penale?

Çitaku: Penale nuk marrë pjesë.

Çitaku nuk pranon ballafaqimin e fakteve: Çu dil jashtë

Bedri Çitaku e ka pranuar se nuk merr pjesë në seanca si avokat, por si përfaqësues.

Por, nuk ka pranuar t’i ballafaqojë argumentet deri në fund.

Gazetarja: Dhe si merrni pjesë në rastet civile?

Çitaku: Civile me autorizim.

Gazetarja: Me autorizim si përfaqësues apo si avokat.

Çitaku: Si përfaqësues.

Gazetarja: Që rrjedhimisht i bie që nuk merrni pjesë si avokat?

Çitaku: Unë nuk kam kurrfarë nevojë të marrë pjesë si avokat, unë jam jurist i diplomuar.

Gazetarja: Nuk mjafton të jeni jurist i diplomuar dhe ju e dini këtë.

Çitaku: Mjafton me marrë pjesë në bazë të autorizimit.

Gazetarja: Meqenëse po e citoni ligjin, kemi të bëjmë me ofrimin e ndihmës juridike por që në këtë rast përfaqësuesi nuk ofron ndihmë juridike, ju ofroni ndihmë juridike kur shkoni si përfaqësues.

Çitaku: Ti çika e mirë, qysh e ki emrin?

Gazetarja: Alberta.

Çitaku: Çfarë vepre penale ke bo?

Gazetarja: Cilën vepër penale? Po flasim fillimisht për juve.

Çitaku: Çu dil jashtë!

Gazetarja: A mund ta përfundojmë deri në fund? Le t’i ballafaqojmë deri në fund faktet.

Çitaku: Të lutem dil jashtë. Të lutem dil jashtë.

Gazetarja: Vetëm po kërkojë mirëkuptimin tuaj zotëri Çitaku që t’i ballafaqojmë deri në fund faktet.

Çitaku: Çu dil jashtë.

Gazetarja: Ta ruajmë qetësinë dhe vetëm t’i diskutojmë deri në fund.

Çitaku: Të lutem asnjë diskutim ma tepër.

Gazetarja: Ju po e citoni ligjin, më lejoni që edhe unë tua citoj ligjin.

Çitaku: Plus je ka incizon, turp, çu, çu”.

Oda e Avokatëve: Është vepër penale nëse dikush mashtron dhe paraqitet rrejshëm si avokat

Në Odën e Avokatëve të Kosovës nuk ka informacion se Bedri Çitaku paraqitet si avokat tek palët.

“Në fakt ai nuk mund të thirret në emrin e avokatisë dhe nuk mund të quhet avokat, ai mund të quhet jurist në kuptimin e shkollimit që ka përfunduar, por nuk mund të përdorë as licencë, as vulë dhe asgjë që lidhet me avokati, pra palët duhet ta kenë të qartë që i njëjti nuk ka licencë të avokatisë dhe nuk mund ta përdorë termin avokat për çështjet e përfaqësimit. Se çka bën ai dhe çka ka vepruar ai, kushtimisht po them në raport me palët si iu ka paraqit palëve, atëherë aty përbën vepër penale të mashtrimit të klientëve për ndryshe nuk mundet nëse iu ka heq licenca me përdor termin e avokatit”, ka thënë Agron Curri, kryetar i Komisionit Disiplinor në OAK.

Shala: Dhënia e ndihmës juridike përmes përfaqësimit përbën vepër penale

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se Kodi Penal i Kosovës si dhe Ligji mbi Avokatinë përcaktojnë se kush mund të mbrojë dikë në kontestet gjyqësore.

“Ligji për Procedurës Kontestimore ka përcaktuar se secili person mund të përfaqësohet nga një person tjetër përmes një autorizimi. Kjo është një dispozitë gjenerale, dhe kjo dispozitë nuk flet për ofrimin e ndihmës juridike nga ana e personave të cilët nuk janë avokat. Kjo pasi ndihma juridike nuk rregullohet me Ligjin për Procedurën Kontestimore, ndihma juridike rregullohet me Ligjin për Avokatinë që ka përcaktuar se çfarë nënkupton me ndihmë juridike, kështu që përkundër faktit se proceduralisht rregullat e procedurës kontestimore i lejojnë personat e tillë të futen në procedurë, kjo nuk u jep të drejtë atyre që të ofrojnë ndihmë juridike në këto raste, për shkak se kjo është përcaktuar prerazi më Ligjin për Avokatin dhe që shkelja e këtij ligji është sanksionuar edhe penalisht përmes nenit 411 të Kodit Penal”, ka thënë Shala, hulumtues ligjor i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Por, kjo praktikë e përfaqësimit nga kushdo në fushën civile, është ndërtuar tashmë në sistemin gjyqësor të Kosovës. Persona, të cilët nuk kanë njohuri mbi legjislacionin e vendit, kanë mundësi që ta përfaqësojnë dikë tjetër në gjykatë civile.

Për më tepër, në rastet kur persona të tillë, ofrojnë ndihmë juridike për palët, kur kjo ndihmë mund të jetë joadekuate dhe të shkaktojë dëme për palët, ata nuk kanë asnjë adresë të asnjë mekanizmi, i cili mund t’i mbajë ata llogaridhënës.

Ndryshe nga këta persona që përfaqësojnë, për të cilët nuk ka adresë për t’u ankuar, për avokatët, për shkeljet e pretenduara të tyre, qytetarët ankohen në Odën e Avokatëve të Kosovës.

Në rastin e Bedri Çitakut, shihet se zyra e tij nuk përmban asnjë njoftim se për çfarë shërben.

Drejtori ekzekutiv i Odës së Avokatëve ofron ndihmë juridike pa licencë të avokatit

Por, pse nuk luftohet kjo dukuri? Oda e Avokatëve të Kosovës, si një ndër institucionet kryesore që do duhej të ishte e zëshme kundër kësaj dukurie, ka rënë në heshtje për këtë.

Arsye për këtë, mund të jetë edhe fakti se pikërisht drejtori ekzekutiv i saj, Besim Curri, luan rolin e përfaqësuesit të palëve.

Ekipi i emisionit “Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar veprimtarinë e Currit për të dëshmuar nëse qëndrojnë pretendimet e palëve se po i përfaqëson dhe po ju ofron ndihmë juridike palëve në kundërshtim me ligjin.

Gazetarët janë paraqitur në dy seanca, në të cilat Curri ishte i pranishëm si përfaqësues i një kompanie për një kontest gjyqësor lidhur me prona.

Në një rast, për dallim nga dy palët e tjera, të cilat ishin të përfaqësuara nga avokatë, nuk ishte edhe kompania të cilën po e përfaqësonte Curri.

Në seancën e dytë, ai shihet të ketë dhënë ndihmë juridike me deklaratën e tij, seancë gjatë së cilës ishte i shoqëruar nga një përfaqësues i kompanisë.

“Qëndroj në tërësi pran kundërshtimeve të paraqitura si në parashtresë të paraqitura me shkrim si dhe atyre të paraqitura në seancë të mbajtura, duke shtuar se nuk ekziston asnjë rrezik real, i cili do ta arsyetonte vendosjen e masës së sigurisë”, ka thënë gjatë seancës, Besim Curri, drejtor ekzekutiv i Odës së Avokatëve të Kosovës.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi” gjyqtari Përparim Zeka ka thënë se sipas LPK përfaqësues me prokurë i palës mund të jetë çdo person që ka zotësi të plotë për të vepruar.

Përkundër kësaj, Zeka bën dallimin në mes të përfaqësuesit dhe avokatit.

“Në bazë të kuadrit aktual ligjor, pala parimisht mundet vetë të ndërmarrë veprime procedurale dhe në raste të rralla parashihet detyrimi, që pala të përfaqësohet nga një avokat. Në të gjitha rastet, kur nuk ekziston detyrimi për avokat, pala mundet vetë të ndërmarrë veprime procedurale ose nëpërmjet përfaqësuesit me autorizim. Pra, nga këto të cekura rezulton se lejohet një përfaqësim i tillë dhe ofrim i shërbimeve juridike nga këta persona të palicencuar nga OAK, me kusht që pala që ka dhënë autorizimin dhe pala që merr autorizimin të kenë aftësi për të vepruar”, ka thënë Zeka në një përgjigje me shkrim.

Për të parë nëse ky është rasti i vetëm, apo Curri këtë e ka biznes, ekip i “Betimit për Drejtësi” e ka telefonuar për ta angazhuar.

Ndryshe nga hera e parë, hulumtuesi i ekipit “Betimi për Drejtësi”, në këtë rast është paraqitur si pronar i një biznesi, kinse ka probleme me importim të mallrave në doganë dhe se është në kërkim të shërbimeve të një avokati. Për këtë qëllim është kontaktuar Besim Curri, duke iu drejtuar në cilësinë e avokatit, për çka ai përgjigjet me saktësi, sikurse në emrin e vet.

Por, Besim Curri nuk është avokat i licencuar e as nuk ka zyrë ligjore për të ofruar shërbime juridike.

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një përgjigje për këtë rast dhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, lidhur me këtë praktikë të përfaqësimit të palëve nga personat që nuk janë të licencuar, duke ofruar shërbime juridike për ta. Por, ende nuk ka përgjigje.

Besim Curri nuk ka qenë asnjëherë avokat.

Për rreth dy dekada ai ka punuar në Doganën e Kosovës, dhe më pas është zgjedhur si drejtor ekzekutiv i Odës së Avokatëve të Kosovës.

Hulumtuesit e kanë kontaktuar për herë të dytë Currin përmes telefonit dhe ai sërish përgjigjet si avokat.

Curri thotë se nuk do të marrë para kot nëse nuk fitohet rasti

Besim Curri thotë se fillimisht duhet t’i shohë letrat e pastaj mund t’i pranojë në zyrë, të cilën përkundër insistimit nuk tregon se ku gjendet ajo.

Nëse dokumentet tregojnë se rasti është në rregull, Curri thotë se e pranon rastin, në të kundërtën refuzon pasi nuk do të marrë para nëse rasti është i humbur.

Në proces e sipër të hulumtimit, Besim Curri si duket e ka kuptuar se ai është subjekt i investigimit. Për këtë qëllim, duke tentuar të përmirësojë mashtrimet e paraqitjes në rolin e avokatit, ai ka telefonuar në numrin e redaksisë. Pas kësaj, hulumtuesi e ka telefonuar Currin, por tanimë fjalët e tij, kanë ndërruar në tërësi. Tash nuk flet si avokat, por si një bamirës.

Curri thotë se e ndihmoi shokun në një seancë, mohon të jetë i punësuar apo të ketë biznes

Besim Curri përkundër faktit se gjatë hulumtimit dëshmohet se ofron ndihmë juridike, për të cilat kërkon të paguhet, mohon të ketë biznes të hapur për ndihmë juridike.

Në seancat e monitoruara nga “Betimi për Drejtësi”, ai ka thënë të ketë ndihmuar pronarin e kompanisë që përfaqësonte pasi e ka shok.

Në bisedë e sipër hedh dyshime se mund të jetë i punësuar nga kompania si zyrtar ligjor, pasi vetë e thekson se çdo kompani e ka një të tillë.

Në ditët kur ai paraqitet si bamirës për shok e kompani nëpër seanca, Curri thotë se merr pushim vjetor nga Oda e Avokatëve të Kosovës. Por, Oda sipas tij, nuk është e njoftuar se ai merr pjesë në seanca si përfaqësues.

Vëllai i Currit, Agron Curri, i cili është edhe kryetar i Komisionit Disiplinor në OAK, e arsyeton qasjen e vëllai të tij, duke thënë se i lejohet me ligj.

Drejtori ekzekutiv i Odës së Avokatëve brenda orarit zyrtar del në takim me ekipin duke menduar se janë klientë

Nëse në rastin e seancës Besim Curri këtë punë nuk e ka bërë për para, atëherë çfarë po bënte me ekipin e emisionit në tavolinë? Nëse në ditët kur përfaqëson, siç thotë ai mikun e tij, çfarë po bënte brenda orarit zyrtar të punës me palë në kafene?

Duke tentuar të arsyetohet se kishte ardhur për ndihmë dhe jo për të kryer shërbim, ai hedh veten në një tjetër shkelje.

Në lidhje me këtë temë, “Betimi për Drejtësi” gjatë të enjtes dhe të premtes, për dy ditë rresht, ka insistuar që ta intervistojë Kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupin, por ai nuk është përgjigjur as përmes telefonit e as rrjeteve sociale. Kërkesën për t’u përgjigjur për këtë temë e kanë zyrtarisht edhe Oda e Avokatëve.