BETIMI PËR DREJTËSI

Sektori i ndërtimit shumë i fuqishëm, informaliteti i pranishëm

Raportimet për qarkullimin e parasë informale dhe dyshimet për shpëlarje të parasë në sektorin e ndërtimit nga shoqata e ndërtimtarëve vlerësohen si llafe. Sipas tyre, asnjëherë nuk është vërtetuar apo dënuar ndokush për këto veprime kriminale.

“Dëgjoni, kjo ka fillu me u përmend tash e 15 vjet ma herët. Mirëpo, deri sot nuk e di se nuk kam ndonjë informatë që dikush të paktën është akuzu për këtë punë. Këto ndoshta janë edhe ma shumë rume ose llafe që i quajmë na. Gjithmonë mund të ketë po nuk mund me thonë me siguri se, që dikush ka qarkullim të këtyre mjeteve në ndërtime, le të faktohen ato dhe ata që e bojnë kemi bazë ligjore për me i përndjek. Nëse ekziston, domethënë, por ma shumë janë llafe. Deri tash përderisa nuk është akuzu apo dënu dikush”, ka thënë Faton Hoxha nga Shoqata e Ndërtimtareve të Kosovës.

Edhe ekonomisti Lekë Musa thotë se informaliteti në Kosovë sillet rreth 40 për qind derisa përmend faktin se në sektorin e ndërtimit është përmendur se ka pasur më së shumti qarkullim informal.

“Është përmendur shumë shpesh se sektori i ndërtimit është një sektor ku mjaftë shumë qarkullon sektori informal, dhe kemi kesh që qarkullon jashtë sektorit bankar”, ka thënë Musa.

Drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezauj thotë se nuk ka mekanizma vendor që e matin informalitetin.

“Çështja e matjes së informalitetit, fatkeqësisht, ne si vend nuk jemi mirë për shkak se ende nuk kemi kriju mekanizma, të cilët masin informalitetin, mekanizmat tonë vendorë. Ne gjithherë jemi varur nga raportet të cilët kanë gjeneru mekanizmat ndërkombëtarë në këtë rast ose Banka Botërore ose BE-ja dhe fatkeqësisht matjet e fundit kanë qenë të vitit 2017 ku ka konstatu një formalitet ose një ekonomi joformale ose ekonomi e zeze 31%, dhe ekonominë e hirtë 28 %, gjë që tregon mjaftueshëm që ka një mase të konsiderueshme të informalitetit”, ka thënë ai.

Mustafë Kadriaj, ekspert i ekonomisë, thotë se sektori i ndërtimit, si më i fuqishmi në vend, ka mundësi për manipulime derisa kërkon që të krijohen makanizma për ta formalizaur.

“Ndoshta nga ana formale nuk është shumë por, po të ishte formalizuar ashtu siç kanë qarkullim, vlerësoj që është biznesi më i fuqishëm në Kosovë. Edhe biznesi që qarkullon më së shpejti nga ana e mjeteve financiare por edhe për shkak që hapësira në biznes të ndërtimit është e madhe që të kalohet në informalitet si tek fuqia punëtore si tek realizimi i ndërtimit, si kostoja e ndërtimit, ka do të thotë hapësirë që të manipulohet në atë drejtim. Kështu që kjo lloj zhvatje ose kjo lloj mos kontrolle shtetërore, të jetë në fakt nuk e kemi një pasqyrë të pastër, fuqinë e biznesit, të ndërtimit, por intuita edhe ajo çfarë shihet në terren është që biznesi i ndërtimit në Kosovë është biznesi me i fuqishëm”.