Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj thotë ndërtimi është sektori me rreziqe të larta për evazion fiskal.
Ai thotë se ATK është duke monitoruar ndërtuesit, punëkryesit dhe akterët tjerë që janë të ndërlidhur me ndërtimet.
“Për ketë ne kemi bërë edhe projektet e veçanta, ku tani do të thotë më shumë se një vit jemi duke punuar në projektin e ndërtimtarisë dhe duke monitoruar duke bërë vlerësime , duke bërë kontrolla në këtë sektor gjithnjë me qëllim qe të kemi një qasje të shtrirë dhe të menjëhershëm të gjithë investitorët dhe ata të cilët janë të ndërlidhur me investitorin, punëkryerësin dhe gjithë akterët tjerë që janë të ndërlidhur në një projekt të caktuar ndërtimor…”, ka thënë Murtezaj.
Ndër vite njëra ndër format se si është bërë pastrimi i parave besohet të jetë përmes mos transaksioneve bankare. Qytetarët kanë paguar shumë më shtrenjtë për banesën që e kanë blerë, por një pjesë të parave nuk e kanë proceduar përmes bankës por kanë paguar me para në dorë, duke iu shmangur tatimit por edhe arsyetimit të të hyrave.
Kjo shpesh herë thuhet të jetë bërë në zyrat e noterëve. Por këtë e mohon noteri Safedin Blakaj.
“Pastrimet e parave nuk bohen në zyrat noteriale, pastrimet e parave e kam përshtypjen që bëhen eventualisht jashtë zyrave noteriale, me fjalë tjera qytetarët që blejnë banesa ne e kemi përshtypjen dhe bindjen që paret e tyre janë të ndershme po është një pyetje tjetër nëse të hollat ose parat e atyre që ndërtojnë ndërtesa janë të ndershme, ajo është jashtë kontrollit të zyrave noteriale”, është shprehur ai.
Ekspert i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, thotë se duhet të krijohen mekanizmat kontrollues të këtij sektori pasi nuk mund të presim etike prej bizneseve.
“Prej biznesit kushtimisht mos kërko moral në atë kuptim dhe etikë në një biznes por etikën e krijojnë institucionet dhe institucionet relevante me ligje të fuqishme, me kontrolla me investigime, dhe ata detyrimisht në fakt edukohen në biznes bërje në vend dhe në këtë drejtim në momentin që ka hapësirë biznesi jo vetëm në ndërtim po në cilën do lëmi, tenton thjeshtë të zhvatë ose t’i ik thjeshtë tatimeve”, është shprehur ai.
Kadriaj ka shtuar se mungesa e ligjeve adekuate iu ka dhënë hapësirë kompanive të ndërtimit që të fitojnë shumë marramendëse duke i ikë tatimit të shtetit.