Vetëm në Komunën e Prishtinës çdo vit bëhen mbi 5 mijë kërkesa për bartje të trashëgimisë. Përgjegjësinë për krijimin e një sistemi të mirëfilltë të të dhënave e mban Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Agjencia për Regjistrim Civil.
Zyrtarët e kësaj agjencie, në një përgjigje me shkrim për “Betimin për Drejtësi” kanë hequr përgjegjësinë nga vetja, duke theksuar se lëshimi i dëshmisë së vdekjes është kompetencë e komunave, por nuk janë përgjigjur nëse në kuadër të kompetencave të kësaj agjencie, ka plane për të zgjidhur problemin e adresimit të të dhënave, përmes krijimit të projektit që ofron të dhëna për trungun familjar.
Krijimi i këtij mekanizmi nga kjo agjenci do t’u mundësonte të gjitha institucioneve qasjen e lehtë për informim dhe verifikim të të dhënave.
Rrjedhimisht, ky sistem nuk do t’i linte hapësirë ndërgjegjes qytetare për të marrë vetë vendime, e për të mundësuar shkeljen e ligjit.
“Është shumë e rëndësishme që kjo çështje të adresohet sa më shpejt sepse ka nevojë që të ekzistojë një mekanizëm shtetëror qoftë në formë të një sistem të dixhitalizuar që të mund t’i identifikojë të gjithë qytetarët kush është trashëgimlënësi... që të mos lejohet as keqpërdorimi, as ndonjë mangësi që do të pamundësonte identifikimin e trashëgimtarëve...”, ka thënë Arrita Rezniqi, hulumtuese ligjore në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Deri në ndërmarrjen e hapave nga institucionet shtetërore, trashëgimia e barabartë për të gjithë pasardhësit do të vazhdojë të jetë në rrezik.
Derisa, prokuroritë e gjykatat do të mbushen me lëndë për diçka që përgjigjja adekuate do të mund të jepej qysh në hapin e parë të procesit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.