BETIMI PËR DREJTËSI

KPK-ja e mbyllur për mediat, informacionet larg syve të publikut

Informacionet dhe dokumentet e sistemit prokurorial vazhdojnë të mbahen larg syve të mediave dhe publikut.

Qasja e kufizuar në informacione dhe dokumente publike, mungesa e konferencave publike dhe intervistave për media nga krerët e sistemit prokurorial për të informuar rreth temave me interes publik e deri te pengimi i gazetarëve për të qenë prezentë në mbledhjet publike të Këshillit Prokurorial, janë disa prej problemeve me të cilët mediat dhe shoqëria civile që po përballen me sistemin prokurorial.

Që nga zgjedhja e tij në krye të Këshillit Prokurorial në janar 2021, Jetish Maloku vazhdimisht kishte proklamuar transparencë dhe llogaridhënie para publikut. Kishte tri objektiva në mandatin e tij: Llogaridhënia, transparenca dhe integriteti i KPK-së. Por, në të tri objektivat për gati dy vjet mandat vlerësohet se kanë dështuar.

Kryesuesi Jetish Maloku, vazhdon të mbajë mbledhjet e Këshillit Prokurorial pa prezencë fizike të gazetarëve dhe shoqërisë civile, me arsyetim të zbatimit të masave kundër COVID-it. Këshilli Prokurorial vazhdon të mbetet institucioni vetëm, që transmeton mbledhjet online, por nuk i lejon gazetarët të jenë pjesë e takimeve të Këshillit.

Në një përgjigje me shkrim, zyrtarët e KPK-së, thonë se takimet me pjesëmarrjen fizike të mediave nuk po realizohen sepse hapësira ku mbahen takimet e Këshillit nuk plotëson kushtet për pjesëmarrje të një numri ma të madh të pjesëmarrësve se sa është numri i anëtarëve të Këshillit, stafit mbështetës dhe institucioneve ndërkombëtare që e mbështesin Këshillin. Por, kanë thënë se është duke u punuar që të krijohen kushte me të mira hapësinore për punë në Këshillin Prokurorial të Kosovës.