Në Kosovë numri i mallrave të falsifikuara dhe që shkelin markën tregtare është shumë i lartë. Kjo bënë që shumë herë qytetarët të vihen në lajthitje, duke blerë produkte të falsifikuara, të cilat mund të jenë edhe të dëmshme për shëndetin. Vetëm gjatë viti 2021, përmes Doganës së Kosovës janë konfiskuar mbi pesë milionë euro mallra të falsifikuara.
Sadije Topojani, udhëheqëse e Sektorit për të Drejtat e Pronësisë Intelektuale në Doganën e Kosovës, ka thënë se numri i markave të falsifikuara që tentohet të futën në Kosovë është shumë i lartë.
“Nëse flasim vetëm për vitin 2021, vlera e mallrave të ndalura nën dyshimin se shkelet e drejta e pronësisë intelektuale, ka qenë mbi 6 milionë euro, dhe prej të cilave si të falsifikuara kanë rezultuar mallrat me vlerë prej mbi 5 milionë eurove. Po, nëse shkojmë me një renditje gjatë pesë viteve të fundit, do të thotë nëse flasim për vitin 2017, po fillojmë prej vitit 2017, do të thotë vlera e mallrave mbi 1 milion euro, do të thotë mbi 1 milion e gjysmë besa. Pastaj, në vitin 2018 kemi mbi 2 milionë e gjysmë euro, vitin 2019 mbi 3 milionë euro, në vitin 2020 mbi 2 milionë euro dhe tani vitin 2021 mbi 6 milionë euro vlera e këtyre mallrave që janë ndalur si rezultat i dyshimit se janë shkel të drejtat e pronës intelektuale”, ka treguar Topojani.