Përfaqësuesi i Afrim Borovcit, pronarit të “Baron”, avokat Arber Fazliu ka thënë se është e çuditshme dhe e jashtëligjshme se si Agjencia për Pronësi Industriale (API) e ka regjistruar markën me emrin e njëjtë dhe me dallime shumë të vogla në mes markës së klientit të tij dhe markës se Burim Borovcit.
“Në fakt është interesante mënyra e regjistrimit të kësaj marke tregtare duke marrë parasysh faktin se Agjencia për Pronësi industriale ka qenë e njoftuar nga ana e jonë ka qenë e kundërshtuar mënyra e regjistrimit të tyre, po ashtu në procedura të tjera për lënde të njëjta e kanë qenë të njoftuar se “Baron SH.P.K” e ka mbrojtur të markën tregtare të vet dhe e njëjta nuk mund të përdoret pa autorizim, mirëpo ajo në kundërshtim me ligjin për marka tregtare e ka bërë regjistrimin e markës tregtare dhe kësisoj e ka edhe është duke u përdorur tani më nga pala tjetër Burim Borovci”, ka thënë avokati Fazliu .
Përveç emrit “Baron”, është edhe fonti i shkronjave ai që i bënë këto dy marka të ngjashme. Por, përfaqësuesi i Burim Borovcit thotë se është Agjencia ajo që kujdeset sepse ajo ka mandat për regjistrimin e markave tregtare.
“Fondi i shkronjave është i njëjtë në raport me emrin e subjektit juridik të klientit tim. Nëse është fonti i shkronjave njëjta, Agjencia për Pronësi Industriale i ka vlerësuar sepse sikur markën tregtare të subjektit “Eurotek- Baron” ashtu edhe markën tregtare të klientit tim ajo i ka pas, ajo është Agjencia që i ka lshu edhe ajo është që kujdeset për markat tregtare. A është markë e njëjtë, a është e ngjashme, a ka dallime në mes tyre, ata i vlerësojnë sepse ligji mbi markat tregtare i ka përcaktu kushtet kur konsiderohet një markë e njëjtë”, ka thënë ai.
Në lidhje me regjistrimin e markës tregtare “Baron” në Gjilan me gjithë ngjashmëritë me markën e regjistruar me herët, Agjencia për Pronësi Industriale thotë se për të njëjtën markë nuk kanë pranuar ndonjë ankesë gjatë fazës tremujore të publikimit e as ndonjë ankese tjetër nga pala.
“Deri me sot në API nuk është paraqitur ndonjë kërkese kundërshtimi, shfuqizimi, revokimi apo ndonjë vendim gjykate ne lidhje me ndonjë marke tregtare qe përmban emërtimin “ Baron”, thuhet në përgjigjën e Agjencisë duke shtuar edhe se nëse pronari i markës mendon se iu është shkelur e drejta mund të bëjë kërkesë për shfuqizim.
Në lidhje me këtë rast, përfaqësuesi i Afrim Borovcit thotë se tashme kanë bërë padi të re për shkelje të markës tregtare.