Basketboll

Trepça, finalistja e parë e plejofit

Trepça

Kampionia në fuqi, Trepça, është finalistja e parë e plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Trepça në serinë gjysmëfinale e eliminoi Sigal Prishtinën, duke e mposhtur me rezultatin 3:1. Fitoren e tretë  xehetarët” e shënuan të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, me rezultatin 84:80.

Trepça pati paraqitje prej kampioni për të bërë vend në finale ku do të takohet me Bashkimin apo Pejën. 

Prishtina kishte epërsi vetëm në fillim të ndeshjes, 3:2. Më pas kontrollin e kishin mitrovicasit. Çereku i parë përfundoi 29:18 për Trepçën.

Prishtina paraqitjen më të mirë e kishte në çerekun e dytë. E fitoi këtë dhjetëminutësh me rezultat 27:19. Por pa ia dalë të kalojë në epërsi. E barazoi dy herë rezultatin 42:42 e 45:45, kurse më pas mysafirët i realizuan tri pikë për të shkuar në pushim me rezultat 48:45. 

Në pjesën e dytë Trepça e kontrolloi ndeshjen me qetësi, derisa në minutën e fundit. Çereku i tretë përfundoi 10:9 për kampionen në fuqi. Në çerekun e katërt Prishtina bëri përpjekje për të përmbysur rezultatin, por pa sukses. Lojtarët me përvojë të Trepçës e ruajtën epërsinë deri në fund për të vazhduar dominimin e vjetëve të fundit ndaj Prishtinës.

22 sekonda para fundit Donte Clark shënoi dy gjuajtje të lira për ta ngushtuar epërsinë e Trepçës në 82:80. Dhjetë sekonda para fundit Drilon Hajrizi i shënoi dy gjuajtje të lira për 84:80. Prishtina e kishte vetëm edhe një aksion, të cilin nuk e realizoi.

Amerikanët Tekele Cotton e Michael Myers shkëlqyen sërish te Trepça. Cotton kontribuoi me 18 pikë, shtatë kërcime e shtatë asistime. Qendra Myers i kishte 18 pikë e plot 15 kërcime, ndërsa i shtoi edhe dy asistime. Drilon Hajrizi i shtoi 13 pikë e tri kërcime, ndërsa Erjon Kastriti kontribuoi në fitore me 11 pikë. Michael Green i realizoi tetë pikë e pesë asistime.

Te Prishtina lojë pak më të mirë kishte Rashid Mahalbashiq me 11 pikë, tetë kërcime e katër asisitime. Më efikasi ishte Ricky Tarrant me 16 pikë. 

Trepça stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e dytë dhe rrjedhimisht ishte e lirë në çerekfinale të plejofit. Prishtina ishte e treta, kurse në çerekfinale me rezultatin 2:1 e eliminoi Vëllaznimin e Gjakovës.

Në gjysmëfinalen e parë në “Minatori”, Trepça fitoi 80:65 ndaj Prishtinës. Prishtina e fitoi ndeshjen e kaluar në shtëpi, 90:83. Trepça ktheu epërsinë të shtunën e kaluar në arenën buzë Ibrit, duke fituar 67:61. Dhe të mërkurën siguroi finalen.

Trepça këtë edicion e ka fituar Kupën e Kosovës dhe Superkupën, ndërsa e synon edhe titullin e kampionit.


Trepça në epërsi pas pjesës së parë

Sigal Prishtina e Trepça po e zhvillojnë ndeshjen e katërt gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. 

Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë tashmë ka përfunduar pjesa e parë.

Pas 20 minutave lojë, Trepça udhëheq me rezultat 48:45. 

Mitrovicasit e dominuan çerekun e parë, të cilin e fituan 29:18. Në të dytin më e mirë ishte Prishtina, 27:19.

Trepça është në epërsi 2:1 në serinë gjysmëfinale të plejofit. I duhet edhe një fitore për kualifikim në finale.