Basketboll

Trepça e Bashkimi mësojnë kundërshtarët në FIBA Europe Cup

kb trepca

Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça dhe nënkampioni Bashkimi, kanë mësuar të enjten kundërshtarët e grupeve në FIBA Europe Cup.

Trepça është në grupin F me Anwilin e Polonisë, PAOK-un e Greqisë dhe Braunschweigun e Gjermanisë.

Bashkimi do të ketë punë në grupin J me Dijon Basketin e Francës, Pallacanestro Reggianan e Italisë dhe Cibonën e Kroacisë.

Trepça ndeshjen e parë e luan më 15 tetor ndaj PAOK-ut në udhëtim. Më 22 tetor e pret Braunschweigun. Në Mitrovicë e luan pas shtatë ditësh edhe ndeshjen ndaj Anwilit. Ndërkohë më 5 nëntor në “Minatorin” e zjarrtë do ta presë po ashtu edhe PAOK-un.

Më 12 dhe 19 nëntor i luan në udhëtim dy ndeshjet e fundit të fazës grupore ndaj Braunschweigut, përkatësisht Anwilit.

Bashkimi rrugëtimin në fazën grupore e nis në Prizren kundër skuadrës së madhe kroate, Cibona.

Ndeshja luhet më 15 tetor, kurse më 22 tetor, Bashkimi përballet me Pallacanestro Reggiana në udhëtim. E pret pastaj Dijonin më 29 tetor.

Më 4 nëntor luhet Cibona-Bashkimi, 12 nëntor Bashkimi-Pallacanestro Reggiana dhe 18 nëntor Dijon-Bashkimi.