Kompania kineze e veturave, XPeng, ka arritur një marrëveshje për shitjen me pakicë të automjeteve të saj elektrike me Emil Frey Nederland NV, sipas së cilës kompania do të jetë përgjegjëse për zhvillimin e rrjetit të shitjeve dhe shërbimeve të kompanisë në Holandë.
Emil Frey thuhet se është një nga shitësit më të mëdhenj të veturave në Evropë dhe do t'u sigurojë blerësve të veturave kineze elektrike akses në rrjetin e shërbimit dhe shpërndarjes.
Një dyqan i ri me pakicë do të hapet në mars në qendrën tregtare Westfield pranë Hagës, ka mësuar Carscoops.
Në Suedi, XPeng ka arritur një marrëveshje për shitjen me pakicë me Bilia, tregtari dhe distributori më i madh i veturave në vend, i cili tashmë operon një rrjet prej 58 shitjesh dhe 66 qendrash shërbimi.
Automjetet e prodhuesit kinez do të jenë të disponueshme në sallonet e Bilia dhe do të servisohen në qendrat në Stokholm, Gothenburg dhe Malmö. XPeng po hap gjithashtu qendrën e parë të shitjes me pakicë në Suedi këtë javë.
XPeng planifikon të vazhdojë të zgjerojë praninë në Evropë përmes një kombinimi të pikave të shitjes me pakicë të pavarura, së bashku me rrjetet e shitjes me pakicë dhe shërbime të ofruara nga partnerë të tillë si ata në Holandë dhe Suedi.
Ky prodhues i veturave u shfaq për herë të parë në Kontinentin e Vjetër në Norvegji, një vend që është lider botëror kur bëhet fjalë për kalimin në automjete elektrike. Përveç zgjerimit të aktiviteteve të saj në Suedi dhe Holandë, XPeng po fillon të ndërtojë rrjetin e marketingut dhe shitjes edhe në Danimarkë.
Xpeng është një nga disa qindra startup-et kineze për prodhimin e veturave elektrike, por gjithashtu vetëm një nga pak që kanë filluar tashmë prodhimin dhe shitjen e tyre.