Kompania e njohur japoneze e veturave, Toyota, ka konfirmuar më parë se gjeneratën e re të modelit Supra do ta prezantojë në panairin NAIAS të veturave në Detroit, gjë që edhe ndodhi sot.
Ashtu siç tashmë dihet, Supra e re për vitin 2020 është zhvilluar në bashkëpunim me prodhuesin prestigjioz gjerman – BMW, transmeton Koha.net. Po ashtu, Toyota në mars të vitit të kaluar në panairin e veturave në Gjenevë pati prezantuar modelin për gara GR Supra Racing Concept (GR – Gazo Racing), ndërsa në ngjarjen “Goodwood Festival” për vizitorët ka paraqitur prototipin e maskuar të këtij modeli.
Gjithashtu, Supra e re është një veturë kompakte dhe e shpejtë që peshon më pak se ajo aktuale, si dhe vjen me sistemin e tërheqjes me rrotat e pasme. Slogani i Supras së re është “Legjenda po kthehet”.
Sa i përket motorit, Supra e re vjen me motor 3.0-litër me gjashtë cilindra e kapacitet prej 250 kW/335 kuajfuqi, i cili është në kombinim me marshin automatik me 8 shpejtësi, si dhe në dispozicion ka dy module të vozitjes – Normal dhe Sport. Po ashtu, Supra e re shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin për 4,3 sekonda dhe atë maksimale e ka të kufizuar në 250 km/h.
{gallery}
Në dispozicion, po ashtu, është edhe ekrani Head-up, amortizatorët e rinj, sistemi “Launch Control” (sistemi elektronik që ndihmon shoferin), sistemi i frenimit automatik, sistemi për paralajmërim në rast të aksidentit, sistemin për njohje të shenjave të komunikacionit, etj, përcjell Koha.net.
Sa i përket ngjyrës së eksterierit, Toyota Supra e re do të jetë në dispozicion me ngjyrë të kuqe “Renaissance Red 2.0”, të verdhë “Nitro”, të kaltër “Downshift”, gri mat “Phantom”, të bardhë “Absolute Zero”, të argjendtë “Tungsten”, gri “Turbulance” dhe të zezë “Nocturnal”.
Toyota Supra e re, po ashtu, në tregun amerikan do të shitet me këto çmime varësisht nga versioni:
- Base 3.0 – 49,990 dollarë,
- Premium 3.0 – 53,990 dollarë,
- Launch edition 3.0 – 55,250 dollarë.