Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Thellohet bashkëpunimi mes gjermanëve dhe kinezëve, BAIC blen 5% të aksioneve në Daimler

Foto: Reuters

Grupi kinez “Beijing Automotive Group Co Ltd” (BAIC) ka blerë 5 % të aksioneve në Daimler (DAIGn.DE), duke forcuar bashkëpunimin e tyre të gjatë pasi kompania kineze “Geely” doli të jetë një rival potencial po ashtu për blerjen e aksioneve të këtij prodhuesi gjerman.

BAIC ka qenë partneri kryesor i Daimlerit në Kinë për vite me radhë, ku kanë operuar fabrikat e Mercedes-Benzit në Pekin përmes Beijing Benz Automotive, shkruan Reuters, transmeton Koha.net. Por, vitin e kaluar Li Shufu, kryetari i Zhejiang Geely Holding, ka blerë 9.69 për qind të aksioneve në kompaninë gjermane me qëllim të krijimit të një aleance për të zhvilluar veturat elektrike dhe vetë-vozitëse.

“Ky hap përforcon bashkëpunimin tonë me, dhe mbështetje të fortë për, menaxhimin dhe strategjinë e Daimlerit”, ka thënë sot Heyi Xu, kryetari i BAIC-ut.

Gjithashtu, analisti i kompanisë njujorkeze Jefferies Group, Patrick Yuan, ka thënë se “blerja e aksioneve të Daimlerit nga BAIC-u do të përforcojë bashkëpunimin mes BAIC-ut dhe Daimlerit”.

Kostoja e lartë e baterive të veturave elektrike e ka bërë të vështirë për prodhuesit e automjeteve që të ndërtojnë veturat me zero emetim të dyoksidit të karbonit, duke bërë që disa prej prodhuesve të bëjnë aleanca me partnerët kinezë.