Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Tesla paditet për mashtrim nga klientët

Kompania amerikane e automjeteve Tesla, është paditur të mërkurën nga një grup shoferësh, nën dyshimin për mashtrim sa i përket reklamimit të veçorive të saj për sistemin autopilot (ndihmës i shoferit) dhe atë vetëdrejtues (lëvizje e veturës pa ndihmën e shoferit).

Tesla akuzohet se që nga vitit 2016 ka reklamuar në mënyrë mashtruese sa i përket teknologjisë, që ata pretendojnë se nuk ka funksionuar asnjëherë, duke i bërë kështu automjetet e pasigurta.

Briggs Matsko, njëri nga paditësit, tha se Tesla e bëri këtë për disa arsye. Që të tërheqë investime, të rrisë shitjet, të shmangë falimentimin, të rrisë çmimin e aksioneve dhe për t'u bërë faktor dominues në fushën e automjeteve elektrike.

“Tesla ende nuk ka prodhuar asgjë që i afrohet një veture plotësisht vetëdrejtuese”, ka thënë Matsko.

Padia e paraqitur në Gjykatën Federale në San Francisko kërkon dëmshpërblime të paspecifikuara për njerëzit që, që nga viti 2016 kanë blerë ose kanë marrë me qira automjetet e Teslas me tipare autopilot, apo vetëdrejtues të plotë.