Veturat elektrike janë shumë më miqësore me mjedisin sesa ato konvencionale, por asnjë nuk është tërësisht "e lirë" nga emetimet. Për këtë, një ekip studentësh nga Holanda po përpiqet t'i afrohet sa më shumë këtij objektivi.
Bëhet fjalë për studentë nga Universiteti i Teknologjisë në Eindhoven, të cilët zhvilluan konceptin “ZEM”, që do të thotë automjetet me zero emetime të gazit.
"Kjo makinë është zhvilluar për të minimizuar emetimet e CO2 gjatë fazës së prodhimit, fazës së përdorimit dhe fazës së fundit të jetës", tha Jens Lahaije, një anëtar i ekipit nga ky universitet.
Në prodhimin e makinës u përdor plastika e ricikluar, e cila u formësua sipas nevojës duke përdorur një printer 3D. Kjo përfshin shasinë dhe panelet e trupit dhe siguron që praktikisht të mos ketë mbeturina falë përdorimit të materialeve të ricikluara.
Megjithatë, një pjesë e veturës tërheq vëmendje të veçantë, e ajo është filtri i veçantë që “kap” CO2 gjatë lëvizjes së automjetit. Ekipi pretendon se makina mund të mbledhë deri në 2 kg CO2 çdo 20,000 kilometra. Studentët pranojnë se kjo nuk është një sasi e madhe CO2, sepse do të duheshin dhjetë makina të tilla për të kryer punën e një peme. Megjithatë, nëse filtri do të përdorej masivisht, ndikimi do të ishte i rëndësishëm. Tani një ekip studentësh dëshiron të patentojë filtrin e tyre.
Në të ardhmen, këta filtra mund të "shkarkohen" lehtësisht në stacionet e karikimit të baterive të makinave elektrike. Deri më tash, filtri mbushet shumë shpejt dhe zbrazet çdo 320 kilometra, por ekipi po kërkon ndihmë nga industria e automobilave për të ndihmuar në arritjen e qëllimit. /klix