Auto

Polaku triumfon në shtegun e Kullës në Pejë

FASK-u e përfundoi me sukses organizimin ndërkombëtar Polaku Grzegorz Duda është triumfues në garën automobilistike që u zhvillua në shtegun e Kullës në Pejë, që njëherësh është garë e vlefshme edhe për Kampionatin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit për Zonën e Evropës Qendrore.

Duda në plasmanin e përgjithshëm e pati kohën më të mirë me 6 minuta, 32 sekonda e 073 të qindtat në të dyja vozitjet, duke e lënë pas Aldin Çoroviqin nga Mali i Zi, ndërsa podiumin e plotësoi vozitësi nga Kosova, Blerand Hasanaj me veturën Opel Kadet. I pari i Federatës së Autosporteve të Kosovës, Ismet Rexhepi, është shprehur mjaftë i lumtur me organizimin e kësaj gare që në përgjithësi shkoi pa ndonjë problem.

Në garën malore të shtegut të Kullës në Pejë që është e gjatë 5.6 km dhe shumë atraktive për garues, ishin gjithsej 36 pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Polonia, dhe nga Mali i Zi, që ishte një numër shumë i vogël.

Në plasmanin e përgjithshëm të garuesve nga Kosova me kohën më të mirë doli Blerand Hasanaj me veturën Opel, për 7 minuta, 4 sekonda e 067 të qindtat. Pas tij i dyti u rendit Bardhyl Canolli me makinën Radicall, ndërsa i treti u pozicionua Reshat Shabani me Subaru, pasi e përfundoi pistën për 7 minuta, 16 sekonda e 907 sekonda.

Në renditjen ekipore kryeson Prizreni D&G me 50 pikë, tri më shumë se Kaçandolli PRT dhe HCR Gjakova që ndajnë pozitën 2 dhe 3. Federata e Autosporteve të Kosovës u pranua vjet në instancat ndërkombëtare, kurse sivjet menjëherë i është besuar organizimi i një ngjarjeje të tillë.