Auto

Mazda 3 e re sportive mund të arrijë së shpejti

Kompania e njohur japoneze e veturave, Mazda, gjeneratën e katërt të “3-shit” të saj e ka prezantuar vitin e kaluar në version Hatchback me 5 dyer si dhe në version klasik Sedan me 4 dyer.

Ndërkohë, nga kompania njoftohet se për gjeneratën aktuale të Mazda 3 nuk do të prezantojë versionin sportiv MPS, i cili në disa tregje njihet si Mazda Speed 3, por sipas informatave më të fundit nga ky prodhues japonez thuhet se ka gjasa që një model i tillë “hyper” megjithatë mund të shfaqet.

Sipas disa informatave tjera, thuhet se Mazda e re sportive mund të dalë në shitje gjatë vitit 2021 me motor benzinë 2.5-litër Turbo dhe sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat, transmeton Koha.net.

Qendra e Mazdës në Los Anxhelos tashmë ka krijuar konceptin i cili aktualisht është nën-vlerësimin e qendrës së kësaj kompanie në Hiroshima, Japoni. Nëse merr dritën e gjelbër, Mazda 3 e re sportive, sipas të gjitha gjasave, nuk do të jetë në dispozicion për shitje në Evropë për shkak se motori i lartpërmendur [2.5-litër] nuk i plotëson standardet evropiane për emetimin e dyoksidit të karbonit. Kjo nënkupton që tregjet kryesore për këtë model do të jenë SHBA-ja, Australia dhe Japonia.

Gjithashtu, pritet të Mazda 3 e re sportive të vijë me eksterier “agresiv”, rrotat më të mëdha nga alumini, sistemin sportiv të shkarkimit të gazrave, amortizatorët e modifikuar, sistemin e frenave më të mirë si dhe interier sportiv.