Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Goma kineze apo të ricikluara, cilat janë më të mira?

Së fundmi, organizata gjermane “TUV SUD” dhe revista zvicerane “Auto-illustratedierte” kanë bërë disa testime interesante. Në fakt, ata morën për të testuar gomën “Goodyear EfficientGripi Performance 2”, atë kineze “Goodride SA37 Sport” si dhe gomën gjermane të ricikluar “King-Meiler STREAX”.

Dimensionet janë 225/45 R17 W dhe gomat janë të parapara për shpejtësi deri në 270 kilometra në orë. Fillimisht, gomat iu nënshtruan testit klasik në poligon për të përcaktuar se cila ishte më e mirë. Sigurisht, nuk është e nevojshme të dihet shumë sa për ta kuptuar se Goodyear do të dalë në të gjitha testet fituese, por interesante është të kuptohet se si frenuan dy gomat tjera.

Goma e ricikluar kursen deri në 70 për qind në materiale dhe rreth 30 për qind në emetimet e dyoksidit të karbonit gjatë prodhimit. Si prodhohen gomat e ricikluara? Fillimisht shikohen dëmet e mundshme. Nëse ato janë të mëdha, atëherë goma hidhet dhe nëse nuk ka asnjë dëmtim, procedura vazhdon. Shtresat që i kanë gomat ngjiten me teknika të posaçme (ngjitje nën presion).

Testi është kryer me Volkswagen Golf të ri dhe frenimi në tokë të thatë nga 100 km/orë deri në 0 km/orë rezultoi me ndryshime – Goodyearit iu deshën 36 metra për ndalje të plotë, Goodrideit 36.8 metra dhe King-Meilerit 38.3 metra, transmeton KOHA. Ndërsa në testin e frenimit në lagështi nga 80-0 km/orë, Goodyear kishte distancën më të shkurtër të ndalimit, prej 35.1 metra, e ndjekur nga Goodride prej 40 metra dhe në fund King-Meiler prej 40.5 metra.

Në testin e radhës në një rrethrrotullim të lagësht, përsëri fitoi Goodyear, i cili e kaloi rrethin për 14.33 sekonda, i ndjekur nga King-Meiler me 14.77 sekonda dhe i treti Goodride me 14.79 sekonda.

Çuditërisht, në testin e quajtur “aquaplaning” (poligoni i mbushur me ujë në thellësi prej 8 milimetra), ka fituar Goodride - me këto goma kineze Golfi i ri e ka humbur kontrollin në shpejtësinë 82.4 km/orë, me goma Goodyear në 79.3 km/orë si dhe me ato të King-Meilerit në 78.2 km/orë.

Edhe Pse nuk është e sigurt të vozisni me goma dimri gjatë verës Auto Pse nuk është e sigurt të vozisni me goma dimri gjatë verës

Gjithashtu, në laborator kanë bërë edhe testin e qëndrueshmërisë dhe shpejtësisë (270 km/orë), ku në testin e fundit goma King-Meiler shpërtheu. Për shkak të kësaj, shitja e këtyre gomave ishte ndalur për një kohë. Ekspertët është dashur të kontrollonin se cila ishte arsyeja. Ndërsa dy gomat tjera i kaluan këto dy teste me sukses.

Në shumicën e testimeve, Goodyear doli të ishte goma më e mirë, ashtu siç pritej. Rezultati i King-Meilerit nuk ishte mbresëlënës, por bazuar vetëm në një model gomat e ricikluara nuk mund të gjeneralizohen.