Pas shtatë dekadash, automobili me jetën më të gjatë në histori të automobilizmit është drejt shuarjes. “Volkswageni” ka njoftuar zyrtarisht se do t’i japë fund prodhimit të linjës ikonike “Beetle” në fund të vitit 2019.
I krijuar në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore, “Beetle” u bë një ikonë e kulturës amerikane gjatë luftës së Vietnamit. Por automobili i njohur humbi ritmin pas goditjeve që pësoi nafta gjatë viteve të ’70. Edhe pse pati dy tentativa për t’u rindërtuar me përditësime të plota, ka qenë një model i harruar viteve të fundit.
Andaj, gjiganti gjerman “VW” ka lansuar ato që i quan “Edicionet Finale” (“Final Editions), versione speciale të modelit “Beetle” që do të shënojnë fundin e rrugëtimit të gjatë, kah fundi i vitit të ardhshëm.
“Humbja e ‘Beetle’ pas tri gjeneratave... do të ngjallë mori emocionesh nga fansat e devotshëm të modelit ‘Beetle’”, ka thënë Presidenti dhe Shefi Ekzekutiv i “Volkswagen Amerika”, Hinrich J. Woebcken. Por teksa Woebcken tha se “nuk kanë plane të menjëhershme për ta zëvendësuar modelin e njohur”, ai shtoi “po ashtu që ‘kurrë mos thuaj kurrë’”... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)