Së fundmi, kompania e njohur gjermane e veturave BMW ka prezantuar gjeneratën e re të X3 dhe M5 të ri, ndërkohë jemi duke pritur edhe Series 8 të re dhe Z4 të ri, vëmendjen e publikut po e tërheq informacioni në lidhje me Series 3 të re (me etiketë nga fabrika G20).
Series 3 e re në version Sedan pritet të arrijë vitin e ardhshëm, ndërsa në vitin 2019 pritet të arrijë edhe Touring në version karavan, transmeton Koha.net. Deri atëherë, pamja e mundshme e BMW Series 3 Sedan mund ta shohim në këto fotografitë që i ka publikuar revista e njohur gjermane “Auto Bild”.
Sipas raportimeve të mëparshme, BMW Series 3 i ri do të ketë platformën CLAR, dhe ndër të tjera do të karakterizohet me boshtin e rrotave më të zgjeruar për dallim nga modeli aktual. Modeli i ri do të jetë më i lehtë (40 deri 80 kilogramë për dallim nga gjenerata aktuale), do ketë frenat më të mira, amortizatorët adaptiv, sistemin e tërheqjes xDrive, dritat OLED dhe laserike, sistemin për ndihmë të shoferit si dhe ekran head-up në enterier.

Duhet përmendur se gjenerata e re Series 3 (G20) do të vijë edhe me sistemin Lane-Keeping Assist, frenimi automatik, sistemin për vetparkim si dhe sistemin për vozitje gjysmë-autonome deri në 60 kilometra për orë.
Sa i përket gamës së motorëve, në ofertë do të jetë motori me 3,4 dhe 6 cilindra si dhe versioni hibrid dhe elektrik me autonominë deri në 500 kilometra.
Te gama e motorëve me 6 cilindra në dispozicion do të jenë tre versione: M340d (320 kuajfuqi), M340i (388 kuajfuqi) dhe M3 (462 kuajfuqi). Po ashtu, motorët 2.0-litër me 4 cilindra në dispozicion do të jenë: 320i/325i/330i dhe 318d/320d/330d, si dhe motorët 1.5-litër me 3 cilindra: 316i (140 kuajfuqi) dhe 316d (120 kuajfuqi).
Së bashku me BMW Series 3 Sedan (G20), në paletën e “treshit” të ri do të jetë edhe Touring (G21), Series 3 GT (G24), si dhe Series 3 Sedan me boshtin e rrotave të zgjeruar (G28) i dedikuar për tregun kinez.