Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

Autopiloti i pasigurt i “Teslas”

Një revistë amerikane ka vlerësuar se sistemi i autopilotit në modelin e “Teslas” ka dështuar tërësisht. Ky vlerësim është bërë pak ditë pasi në një aksident me modelin “Tesla” humbën jetën dy persona

Opsioni i autopilotit në automjetet e “Teslas” mund të mashtrohet për të funksionuar pa ngasës, ka zbuluar një revistë e njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Inxhinierët e “Consumer Reports” kanë analizuar pretendimet e kompanisë gjigante se autopiloti mund të operojë pa prezencën e drejtuesit të automjetit. Këta inxhinierë kanë testuar automjetin Model Y në një pistë të mbyllur dhe kanë ardhur në përfundim se sistemi me shumë lehtësi mund të mashtrohet.

Vlerësimi i revistës “Consumer Reports” është publikuar vetëm pak ditë pas aksidentit vdekjeprurës të një modeli të “Teslas” në Teksas. Policia beson se askush nuk ishte në ulësen e ngasësit. Autopiloti i “Teslas” është sistem i avancuar i asistimit në ngasje. Kompania pretendon se ky sistem përforcon edhe më shumë ngasjen.

Redaksia e “Consumer Reports” ka bërë të ditur se me sukses dhe vazhdimisht e kanë mashtruar veturën që të drejtohet në pistën e mbyllur pa qenë askush në ulësen e ngasësit.

“Në vlerësimin tonë mund të themi se sistemi jo vetëm që dështoi në sigurinë se ngasësi ishte i përqendruar, por nuk mund të tregonte nëse ngasësi ndodhej në ulësen e tij”, ka thënë shefi i testimit, Jake Fisher.

Edhe Tesla me autopilot përplaset në një shtëpi në SHBA Auto 1 muaj më parë Tesla me autopilot përplaset në një shtëpi në SHBA

“Ishte pak e frikshme kur e kuptuam se sa lehtë ishte të mposhtje pikat e sigurisë që natyrisht se treguam që ishin të pamjaftueshme”, ka shtuar ai.

Uebfaqja e “Teslas” ka sqaruar se sistemi i autopilotit kërkon “një ngasës plotësisht të përqendruar” dhe përdorimi i sistemit nuk e bën veturën autonome. Disa prej rregullave të sigurisë që kërkohen për versionin e autopilotit janë mbajtja e duarve në timon, vendosja e rripit të sigurisë dhe mbyllja e të gjitha dyerve.

Më 17 prill dy persona humbën jetën pasi vetura e “Teslas” u përplas për një peme dhe mori flakë në Teksas. Viktimat ishin gjetur në ulësen e parme të udhëtarit dhe në të prapmen.

Shefi i “Teslas”, Elon Musk, ka sqaruar se sipas të dhënave të siguruara nga vetura është bërë e ditur se autopiloti nuk ishte aktivizuar.

“Për më tepër, autopiloti standard kërkon që dritat e linjave të rrugës të jenë të ndezura, por kjo rrugë nuk pati drita të tilla”, ka thënë Musk.

Të enjten dy senatorë demokratë kanë dërguar një letër në Administratën Kombëtare të Sigurisë së Trafikut, duke i kërkuar nisjen e hetimeve për aksidentin fatal të “Teslas”.

Senatori Blumenthal dhe Markey kanë kërkuar edhe një raport për të parandaluar aksidentet në të ardhmen. Administrata ka nisur hetimin e 28 aksidenteve në të cilat janë përfshirë automjetet e “Teslas”. Në muajin mars kompania “Tesla” ka rritur çmimet për modelet “Y Long Range” dhe “Model S Plaid” për 10 mijë dollarë.

Çmimi i “Model 3 Standard Range Plus” është rritur për 37.490 nga 36.990 sa ishte më herët dhe ai i “Model 3 Long Range AWD” është rritur në 46.490 nga 45.990.

Edhe Mbetet në fuqi vendimi prej 243 milionë dollarësh kundër Teslas për aksidentin fatal me Autopilot Auto 5 muaj më parë Mbetet në fuqi vendimi prej 243 milionë dollarësh kundër Teslas për aksidentin fatal me Autopilot

Në fillim të vitit 2021, kompanisë së veturave elektrike, Tesla, u ka rënë vlera në treg për 267 miliardë dollarë. Vlera e saj në janar ishte 843 miliardë dollarë derisa tani është 567 miliardë. Kjo rënie, siç ka shkruar e përditshmja britanike “The Guardian”, ka ndikuar në zvogëlimin e pasurisë së shefit të tij, Elon Musk, i cili ka afro 20 për qind të aksioneve të kompanisë.

Këtë vit, Musk ka humbur pasuri prej rreth 7.5 miliardë dollarë. Ai e mbante titullin e personit më të pasur në botë, ndërsa aktualisht ka 162 miliardë dollarë. Përderisa “Tesla” është mbivlerësuar, analistët bëjnë të ditur se kjo mund të jetë një ndër arsyet e rënies së vlerës.