Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Auto

A e dini se çfarë nënkuptojnë numrat në cisternat e karburantit?

cisterna e karburantit

Shenja portokalli në cisternat që transportojnë materiale të rrezikshme përdoret për të treguar llojin e ngarkesës dhe rrezikun që paraqet ajo. Në foton e mësipërme janë të shënuara dy rreshta me numra. Numri i sipërm tregon llojin dhe shkallën e rrezikut, ndërsa numri i poshtëm, me katër shifra, identifikon saktësisht substancën që transportohet. Këto shenja janë pjesë e sistemit ndërkombëtar ADR për transportin rrugor të mallrave të rrezikshme.

Numri i sipërm, i njohur si kodi Kemler, përbëhet nga dy ose tri shifra. Shifra 2 tregon gaz, 3 rrezikun nga ndezshmëria e lëngjeve ose avujve të tyre, 4 një rrezik të ngjashëm nga substancat e ngurta, 5 substanca oksiduese, 6 substanca toksike ose infektuese, 7 radioaktivitet, 8 substanca gërryese, ndërsa 9 tregon rrezikun nga një reaksion i rrezikshëm. Kur e njëjta shifër përsëritet, kjo tregon se rreziku është më i madh.

Numri i poshtëm është numri i OKB-së (UN) dhe shërben për identifikimin e saktë të substancës që transportohet. Për shembull, 1203 tregon benzinën, 1202 naftën, ndërsa 1863 karburantin e aviacionit, përkatësisht vajgurin e aeroplanëve.

Kështu, shenja 33/1203 tregon se cisterna transporton benzinë, e cila është shumë e ndezshme, ndërsa 30/1202 tregon se cisterna transporton naftë.

Në disa cisterna mund të transportohen lloje të ndryshme karburanti në dhoma të veçanta. Për këtë arsye, në pjesën e përparme dhe të pasme mund të vendoset shenja që tregon ngarkesën me rrezikun më të madh.

Nëse para numrit të sipërm është vendosur shkronja X, kjo paralajmëron se substanca nuk duhet të bjerë në kontakt me ujin, pasi një kontakt i tillë mund ta rrisë rrezikun.

Shenjat në cisternë nuk hiqen menjëherë pasi karburanti të jetë zbrazur. Brenda rezervuarit mund të mbeten mbetje të karburantit dhe avuj të ndezshëm. Për këtë arsye, cisterna vazhdon të konsiderohet e rrezikshme derisa të pastrohet plotësisht nga mbetjet dhe avujt.