Jo vetëm aktorët politikë, por edhe prodhuesit evropianë të veturave janë në hall nëse Donald Trump do të kthehet si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në nëntor të këtij viti do të mbahen zgjedhjet në SHBA. Nëse Trumpi bëhet sërish president, ka rrezik të madh që marrëveshjet e vjetra tregtare me BE-në të ndërpriten, gjë që mund të sjellë probleme për prodhuesit evropianë të veturave, shkruan Automotive News Europe.
Gjatë presidencës së mëparshme të Trumpit, filluan diskutimet për tregtinë midis SHBA-së dhe BE-së. Trumpi ka mbrojtur industrinë vendase dhe ka dashur të vendosë detyrime të larta importi, të ashtuquajturat tarifa ndëshkuese, për produktet e prodhuara jashtë SHBA-së.
Megjithatë, gjithçka përfundoi në një luftë tregtare midis SHBA-së dhe Kinës, ku të dy vendet ngritën tarifat ndaj njëri-tjetrit. Tani që Trumpi synon një mandat të dytë presidencial, po rishfaqet frika se marrëveshjet aktuale tregtare mund të ristrukturohen dhe se mund të vendosen tarifa ndëshkuese.
Trump thuhet se është gati të nisë një luftë tregtare, kryesisht kundër Kinës, e cila mund të ketë ndikim të madh globalisht. Ndër të tjera, ish-presidenti amerikan ngriti çështjen e përjashtimit nga tregu amerikan të veturave elektrike që prodhohen në Kinë ose që prodhohen në vende të tjera, por me pjesë nga Kina.
Sipas ekspertëve të industrisë, kjo do të godiste rëndë edhe prodhuesit e veturave nga Evropa. Në fund të fundit, Trumpi nuk i pëlqen veturat elektrike dhe shpesh kundërshton debatin aktual të klimës.
Nëse ai dhe administrata e tij marrin drejtimin e SHBA-së vitin e ardhshëm, shumë besojnë se shtytja e qeverisë për të nxitur tregun e veturave elektrike do të zvogëlohet. Një masë e tillë do të prekte të gjithë prodhuesit e veturave elektrike, përfshirë Teslan, por edhe shumë prodhues evropianë të veturave që investojnë në kalimin në vetura elektrike, jo vetëm në SHBA.