Me 787.626 njësi të regjistruara, duke shënuar muajin e 13-të radhazi të rritjes, tregu i veturave të reja gjatë gushtit në Evropë pati 21% më shumë regjistrime se vitin e kaluar. Shitjet u kryesuan nga Tesla Model Y përpara VW T-Roc dhe Peugeot 208.
Megjithëse gushti është zakonisht një muaj më i ngadalshëm për shitjet e veturave, rritja e përqindjes dyshifrore tregon se tregu i BE-së po rimëkëmbet nga mungesa e komponentëve që ishte vitin e kaluar. Shumica e tregjeve panë rritje dyshifrore, duke përfshirë tre tregjet kryesore: Gjermaninë (+37.3%), Francën (+24.3%) dhe Italinë (+11.9%).
Nga janari në gusht, numri i regjistrimeve të veturave të reja në BE u rrit ndjeshëm (+17,9%), duke arritur në 7.1 milionë njësi. Pavarësisht kësaj rritjeje, tregu ende mbetet prapa nivelit para pandemisë COVID kur u regjistruan 9 milionë vetura në të njëjtën periudhë të 2019-s.
Në muajin e tetë të këtij viti, pjesa e tregut të veturave elektrike kaloi 20% për herë të parë (nga 11.6% në gusht të vitit të kaluar), duke tejkaluar veturat me naftë për herë të dytë këtë vit dhe duke u bërë zgjedhja e tretë më e popullarizuar për blerësit e veturave. Veturat hibride-elektrike ruajtën pozicionin e tyre si zgjedhja e dytë e klientëve me 24% të tregut. Edhe pse veturat me benzinë janë ende zgjedhja më e popullarizuar, pjesa e tyre në treg ka rënë nga 38.7 në 32.7 për qind.
Në statistikat e shitjeve sipas markave dhe modeleve, rritjen më të madhe të shitjeve e ka shënuar sërish Tesla, e cila ka dorëzuar mbi 34 mijë vetura në gusht, që është rritje prej 242.2% krahasuar me vitin e kaluar kur ky numër ishte nën 10 mijë vetura. Tesla Model Y e mbylli gushtin si modeli më i shitur në Evropë me 19.725 dërgesa, duke “fituar” çmimin për herë të pestë në tetë muaj si vetura më e shitur.
VW T-Roc ishte e dyta në një betejë të ngushtë me Peugeot 208, megjithëse do të jetë i margjinalizuar deri në fund të vitit për shkak të pezullimit të prodhimit të pjesëve në fabrikën sllovene pas përmbytjeve të fundit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.